Lidhje

Tiranë: Opozita refuzoi variantin e qeverisë për Byronë e Hetimeve


Opozita në Tiranë nuk e pranoi projek-ligjin mbi Byronë Kombëtare të Hetimit, sepse sipas saj, drejtuesit e këtij institucioni të ri kundër korrupsionit qeveritar varen në mënyrë paradoksale nga qeveria.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se projekt-ligji që miratoi dje qeveria për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk është varianti që opozita aprovoi pak kohë më parë me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë.

Zoti Basha tha se projekt-ligji i qeverisë nuk përmbushi kërkesën e vetme të opozitës se byroja e hetimeve duhet të varet nga prokuroria. Partia Demokratike dhe më pas Gjykata Kushtetuese hodhën poshtë si të papranueshëm variantin e mëparshëm të qeverisë, sipas të cilit, Byroja e Hetimeve drejtohej nga ministria e brendshme.

“Zoti Rama është mjeshtër i hileve dhe trukeve. Ai miratoi përsëri një projekt-ligj, ku byroja e hetimeve ka varësi nga qeveria e tij. Këtë përpjekje të tij e rrëzoi edhe Komisioni i Venecias me rekomandimet e saj. Ne jemi gati ta votojmë menjëherë ngritjen e Byrosë së hetimeve sapo ajo të varet nga prokuroria” - deklaroi sot zoti Basha.

Qeveria Rama miratoi dje disa ndryshime në ligjin për policinë e shtetit, me të cilat krijohet Byroja Kombëtare e Hetimit, si një strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit.

Byroja e Hetimit do të ndjekë 9 lloje korrupsioni shtetëror, objekt i Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Varianti i miratuar nga qeveria thotë se organizimi dhe funksionimi i byrosë hetuese përcaktohet nga ministri për rendin dhe sigurinë, me propozimin e drejtorit të policisë së shtetit, ndërsa veprimtaria e saj drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori.

Drejtori i Byrosë së Hetimit, sipas projektit të ri, emërohet nga radhët e policisë së shtetit, prej ministrit për rendin dhe sigurinë publike, me propozimin e drejtorit të policisë së shtetit dhe pëlqimin e prokurorit të përgjithshëm.

Projekt-ligji vëren se prokurori është autoriteti përgjegjës vendimmarrës në lidhje me hetimet e Byrosë së Hetimit.

Prokurori i Përgjithshëm cakton një ose disa prokurorë të prokurorisë së shkallës së parë për krimet e rënda për të shërbyer me kohë të plotë si prokuror në këtë byro. Ai cakton një prej prokurorëve si drejtues i grupit të prokurorëve në Byronë e Hetimit, theksohet në projekt-ligj.

Në variantin e miratuar nga qeveria, Byroja e Hetimeve është shërbim i Policisë Gjyqësore, punonjësit e saj janë oficerë dhe agjentë të Policisë Gjyqësore dhe se drejtori i Byrosë është drejtues i këtij shërbimi të Policisë Gjyqësore.

Opozita tha se qeveria është përpjekur të bëjë lojëra politike me byronë e hetimeve si bëri me reformën në drejtësi. Partia Demokratike dha kohë më parë mirëkuptimin për ngritjen e kësaj byroje hetimore me kushtin e vetëm që ajo të varej nga Prokuroria e Përgjithshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG