Lidhje

Ilir Meta, ftesë për takim Lulzim Bashës


Në Shqipëri, kryetari i parlamentit Ilir Meta njoftoi sot se i ka dërguar një ftesë dhe kërkesë zyrtare kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për t’u takuar me të lidhur me reformën në Drejtësi

Zoti Meta shpjegoi se takimi do të duhej të zhvillohej mundësisht brenda së hënës sepse “përndryshe mund të komprometohen procedurat parlamentare dhe integriteti i parlamentit”, nënvizoi ai, duke shtuar se institucioni që drejton “është i vonuar me kalendarin e Reformës dhe se duhet lëvizur sa më shpejt në mënyrë që ky proces të zhvillohet me cilësinë e duhur sipas standardeve të Komisionit të Venecias, por edhe sipas sugjerimeve të EURALIUS-it dhe OPDAT-it”, u shpreh zoti Meta. Sipas tij, procesi i Reformës në Drejtësi “duhet të gëzojë të gjithë legjitimitetin dhe integritetin e plotë që meriton si kryereforma që i nevojitet vendit”.

Ftesa e zotit Meta koincidon me një takim që ai sot pati me ambasadorin amerikan Donald Lu dhe atë të Delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin, dy diplomatët e angazhuar intensivisht për të cuar drejt përfundimit procesin.

Të hënën e kaluar, takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe zotit Basha dështoi pasi palët nuk gjetën dakortësi mbi formulën e emërimeve të anëtarëve të institucioneve të Drejtësisë që do të duhet të zgjidhen nga parlamenti.

XS
SM
MD
LG