Lidhje

Basha: Nuk pranojmë shtyrjen e Ligjit


Intervistë me kryetarin e PD, Lulzim Basha rreth debatit për Ligjin e Nëpunësit civil. “Nuk krijohet asnjë vakuum. Qeveria synon spastrime politike në administratë”

Në Shqipëri kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha thotë se opozita nuk do të pranojë asnjë shtyrje të hyrjes në fuqi të ligjit për Shërbimin civil. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Basha thotë se pretendimi i qeverisë se mungesa e akteve nënligjore e bën ligjin të pazbatueshëm është vetëm një pretekst absurd për të realizuar spastrimet në administratë. Opozita, deklaron zoti Basha, është e gatshme të ulet të bisedojë me shumicën nëse në të ardhmen do të shfaqen probleme me zbatimin e ligjit

Opozita e djathtë është e vendosur të mos tolerojë shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil. Kjo cështje ka provokuar polemika të forta, ndërsa qeveria shpjegon se bëhet fjalë për probleme tekniko ligjore, pasi ligji do të mbetej i pazbatueshëm përsa kohë nuk janë miratuar aktet nënligjore. Por në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari partisë demokratike Lulzim Basha e cilëson këtë thjesht si një alibi: “Ky është një pretekst absurd. Ligji hyn në fuqi më 1 tetor dhe ai vetë parashikon që aktet nënligjore hartohen brenda tre mujave të ardhshme.

Ky ligj është hartuar nga ekspertët e BE dhe është miratuar me konsensus të plotë në parlament më 30 maj. Nuk ka asnjë vakuum përsa i përket mbrojtjes që ligji i bën administratës publike dhe detyrimeve që ajo ka në kryerjen e detyrave të përditshme. Të gjitha cështjet e tjera trajtohen nga rregullore apo akte nënligjore si dhe vendime të Këshillit të ministrave ekzistuese, të cilat përsa kohë nuk bien në kundërshtim me frymën e ligjit mund të vazhdojnë të përdoren deri në hartimin e akteve të tjera, për të cilat vetë ligji parashikon një afat tremujor”.

Sipas zotit Basha, qeveria e re kërkon të realizojë spastrime në administratë, të cilat ligji i ri i vështirëson, ndërsa thekson se Shërbimi civil është një pasuri e të gjithëve dhe një investim jo vetëm i takspaguesve shqiptare por edhe atyre europian që kanë kontribuar në hartimin e tij: “Ne mbrojmë pikërisht këtë investim, por mbi të gjitha mbrojmë frymën e konsensusit mbi të cilin u miratua ligji. Shkallmimi i këtij konsensusi për t’i hapur rrugë spastrimeve politike është shpallje luftë, jo thjesht opozitës, apo partisë demokratike, por është shpallje lufte të ardhmes europiane të vendit dhe aspiratave të cdo shqiptari për siguri ligjore, shtet ligjor dhe mirëqënie”.

Qeveria është shprehur se ka ftuar përfaqësuesit e opozitës parlamentare për të diskutuar me ta rreth një rrugëzgjidhjeje. Zoti Basha nga ana e tij i mëshon faktit se deri tani gjithshka është bërë në fshehtësi dhe se hyrja e tij në fuqi nuk mund të vihet në diskutim: “Ligji hyn në fuqi më 1 Tetor. Cdo përpjekje për ta sprapsur këtë datë është një përpjekje për të realizuar planin e spastrimeve masive politike në administratën publike. Nëse për këtë ligj, apo cdo ligj tjetër mazhoranca dëshiron të dialogojë jo mbi planet e spastrimit por për shqetësime reale të cilat zor se mund të identifikohen akoma pa hyrë në fuqi ligji, ne antyrisht jemi të gatshëm të iskutojmë, por as shtyrja e ligjit as ndryshimi i tij, nuk është i pranueshëm. Eshtë një shkelmim i konsensusit, i besimit ndërpartiake, ëhstë një shkelmim i klimës politike në vend dhe mbart rreziqe të pashmangshme për rrugëtimin europian të vendit dhe të gjithë efetet që kjo ka te qytetarët shqiptarë.”

Opozita ka nisur me kohë akuzat për lëvizje masive në administratë. Por edhe e djathta, sa ishte në pushtet u kritikua për emërimet, vecanërisht kur pas koalicionit me Lsi-në u ndërrua 20 përqind e administrates, të cilët më pas u hoqën nga puna, pak para zgjedhjeve. Po ashtu kritika ka patur edhe ndaj lëvizjeve të zotit Basha në Bashkinë e Tiranës. Por kryetari demokrat jep këtë shpjegim: “Në cdo rast nuk bëhet fjalë për emërimet politike, nuk bëhet fjalë për ata njerëz që shkojnë e vijnë si stafe politike. Këtu flasim për shërbimin civil, i cili rregullohet me ligj. Ne nuk kemi iluzione se revanshi që ka nisur mbi administratën do të vazhdojë. Por ajo që ne kërkojmë është që në cdo rast ligji të prevalojë. Dhe në ato raste kur administrata goditet në mënyrë të paligjshme, të ketë të gjitha mundësitë ligjore për t’i ofruar mbrojtje në nivel administrativ dhe në nivel gjyqësor. Dhe ajo që mazhoranca kërkon të zhbëjë ëhstë pikërisht mburojë ligjore që ligji u jep punonjësve të shërbimit civil.”, deklaroi kryetari demokrat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG