Lidhje

Basha kryetar i ri i PD


Në Shqipëri kryebashkiaku aktual i Tiranës Lulzim Basha u shpall sot kryetari i ri i partisë demokratike. Ai mori 80 përqind të votave të anëtarësisë e cila për herë të parë votoi direkt për zgjedhjen e drejtuesit të saj, që do të pasojë zotin Sali Berisha. Por zgjedhjet në partinë demokratike u përfshinë nga polemika të forta. Kandidati tjetër në garë Sokol Olldashi foli për një proces të deformuar dhe një garë të pabarabartë mes palëve duke hedhur akuza të forta për hartimin e listave të anëtarëve që u ftuan dje të votonin

Ishte kryetari i dorëhequr i partisë demokratike Sali Berisha ai cili njoftoi sot zyrtarisht, fillimisht përmes facebookut dhe më pas nga selia e partisë, edhe fituesin e garës për pasuesin e tij "zotin Lulzim Basha, i cili u zgjodh, me një votë plebishitare".



Zoti Basha u shpall fitues me 80 përqind të votave ndaj rivalit të tij Sokol Olldashi. Ai mori mbi 32 mije vota, përkundrejt afërsisht 7900 të tilla për zotin Olldashi. Afërsisht ishin 41 mijë, anëtarë që morën pjesë në votim, një përqindje e ulët, nëse mendohet se sipas deklarimeve të vetë demokratëve anëtarësia e tyre shkon në afër 100 mijë vetë.

Pas zotit Berisha, nga i njejti podium foli kryetari i porsazgjedhur Lulzim Basha, Një fjalim me tone bashkuese, me premtime për vazhduar punën duke u mbështetur te historia e vjetër dhe e re e partisë dhe angazhimin për një opozitë të fortë në parlament: “Ne do ndërtojmë një opozitë krijuese, të fortë, ballore por edhe alternative, do kemi një përballje publike të përhershme. Për çdo sektor, për çdo situatë, për çdo problem shqiptarët do shohin alternativën, projektet, zgjidhjet tona për problemet e tyre”.

Zoti Basha vlerësoi procesin e garës në partinë demokratike ku për herë të parë u angazhuan drejtpërdrejt anëtarët e partisë: “Në këtë garë, të parën të vërtetë të parimit një anëtar - një votë në Shqipëri, ne demokratët iu dëshmuam sërish bashkëqytetarëve tanë, se jemi perfaqesuesit më të denjë të vlerave, parimeve dhe praktikave të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor”.

Por nuk është i të njejtit mendim rivali i tij në garë zoti Olldashi, i cili deklaratën e tij preferoi të mos e bënte nga selia e partisë por nga ajo e ministrisë së Transporteve që ai drejton: “Përzgjedhja e kryetarit te ri të PD-së, u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar”.

Zoti Olldashi vuri theksin te problemet e listave të aëtarësisë që ai tha se nuk pati mundësinë që t’i kishte në dispozicion: “Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjëtën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u antarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të antarësohen edhe në PD”.

Zoti Olldashi akuzoi se ndryshe nga c’ishte premtuar për një proces jashtë ndikimeve nuk mbeti asnjë ditë i tillë, tha ai: “Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, - gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je -, u përjashtua – sic ndodhi me antarë të PD-së në Shkodër e Korcë – apo u pushua nga puna, - sic ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë”.

Një tjetër problem, sic theksoi zoti Olldashi ishte edhe numri i serisë i stampuar në cdo fletë votimi gjë të cilën ai e konsideroi si pjesë e intimidimit. Megjithatë zoti Olldashi tha se ai do të vazhdonte angazhimin e tij që Partia demokratike të përmbushte misionin e saj.

Qëndrimi i zotit Olldashi u paralajmërua që mbrëmë nga deklaratat e hidhura që bëri pasi votoi pak para mbylljes së procesit. Deklarata të cilat duket se nuk janë pritur mirë nga kryetari I dorëhequr zoti Berisha i cili në fjalën e tij sot nuk e përmendi asnjëherë emrin e tij, vecse kur u pyet nga gazetarët. Zoti Berisha parashtroi linjat bazë ku duhet të ecë në të ardhmen partia demokratike. Analizë e thellë e rezultatit të zgjedhjeve dhe hapje ndaj të rinjve, gjeneratës së lirisë sic tha ai duke shpjeguar se i referohej atyre që kishin lindur në vitet ’80 e më pas: “Duke patur respektin më të thellë me ata të cilët kam punuar dhe punoj është jetike për ne si parti, të hapemi fuqishëm drejt kësaj gjenerate, pasi kjo është gjenerata që mbështet pothuajse tërësisht Partinë Demokratike. Partia Demokratike duhet të ngrihet në lartësinë dhe aspiratave të kësaj gjenerate, dhe unë do të bëj gjithçka që këta të marrin vendin e tyre”, tha zoti Berisha.

Një figurë me pushtet thuajse abosult në partinë demokratike, zoti Berisha duket se me këtë deklaratë i shtron rrugën e ndërhyrjeve të thella të zotit Basha për tranzicionin nga ai që mund të quhet brezi i parë i demokratëve të emra të rinj në strukturat e ardhshme të partisë. Sfidat për zotin Basha nuk janë të vogla, vecanërisht brenda partisë, por duket se ai do të ketë në krah zotin Berisha i cili premtoi të mbetet tejet aktiv në jetën politike: “Do të zhvilloj një betejë të gjithanshme, të fuqishme këtij pushteti që doli nga krimi. Unë me ushtrinë e madhe të demokratëve do të eci përpara. Do të shfrytëzoj në grup, çdo hapësirë duke qenë aty zëri i pamposhtur i demokratëve të Shqipërisë”, u shpreh zoti Berisha.
XS
SM
MD
LG