Lidhje

Basha kundër vizitës së Ramës në Beograd

  • Armand Mero

Në Shqipëri kreu i opozitës shqiptare Lulzim Basha, kërkoi sot që kryeministri Edi Rama të shtyjë vizitën e tij në Beograd, pas ngjarjeve të mbrëmjes të së martës në stadiumin e Beogradit. Sipas zotit Basha, qëndrimi i autoriteteve serbe ndaj incidenteve të rënda dhe deklaratat e tyre antishqiptare, janë praktikisht një refuzim nga vetë pala serbe e vizitës së kreut të qeverisë shqiptare në Serbi.



Kryeministri Edi Rama ka rikonfirmuar se ai do të zhvillojë vizitën e programuar në Beograd të mërkurën e ardhshme duke nënvizuar për agjencinë Reuters se “do të ecë përpara në rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit në rajon”. Por në Tiranë opozita është kundër një vizite të tillë në kushtet e krijuara pas incidenteve të dhunshme në ndeshjen mes kombetareve të futbollit të të dy vendeve. Kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha tha sot se me qëndrimet dhe deklaratat e tyre vetë pala serbe e ka refuzuar këtë vizitë. Sipas tij “Beogradi nuk u distancua nga fyerjet e himnit kombëtar shqiptar, nga thirrjet raciste për të vrarë shqiptarët apo nga dhuna e huliganëve apo dhe forcave të sigurisë në stadium. Përkundrazi – nënvizoi zoti Basha - iu kanë mbajtur ison huliganëve me deklaratat dhe qendrimet e tyre. Shikoni qendrimin ordiner dhe provokues të presidentit të vendit Nikoliç kur thotë se Shqipërisë do t’i duhen shekuj për t’u bërë vend normal. E thotë këtë ndihmësi i Sheshelit që së bashku me Milosheviçin dhe Karaxhiçin janë speciet e fundit të barbarisë mesjetare në Ballkan. Çfarë janë këto mesazhe?! Cili është kumti i këtyre deklaratave dhe qëndrimeve ndaj Shqipërisë, ndaj kryeministrit shqiptar?! Mesazhi është mos eja, dera është e mbyllur”.

Sipas zotit Basha klasa politike në Shqipëri ka bërë dhe vazhdon të bëjë të vetën për një histori të re në marrëdhëniet me Serbinë, por urrejtja dhe dhuna antishqiptare në shtëpinë e saj dëshmojnë sipas tij se Serbia nuk është aspak e gatshme për këtë. “Në çdo rast, vizita në pikëpamjen tonë ka qenë e papërligjur nga çështje të rëndësishme që duhet të jenë pjesë e dialogut të këtij niveli. Pas ngjarjeve të së martës, insistimi i z. Rama për të trokitur në derën e mbyllur serbe është shumëfish më i pakuptimtë, shumëfish më i padenjë. Ndaj sot i kërkoj kryeministrit, minimalisht të shtyjë vizitën e tij në Beograd. Një vizitë për ekzibicion, në këto kushte, nuk ia vlen asnjë qindarkë”.

Tensionet mes Tiranës dhe Beogradit u acaruan së tepërmi pas ngjarjeve të së martës dhe vecanërisht pas qëndrimeve të shprehura nga autoritetet serbe. Ministria e Jashtme i dorëzoi mbrëmë ambasadorit serb një tjetër notë proteste ndërsa nënvizoi në një deklaratë se “hedh poshtë me vendosmëri baltosjen politike të ndërmarrë nga udhëheqësit kryesorë të Serbisë kundër popullit dhe shtetit shqiptar”.

Tirana reagoi sot edhe ndaj sulmeve kundër biznesve të shqiptarëve që jetojnë në Serbi në disa qytete. Sipas ministrisë së Jashtme ato “janë vazhdim dhe shprehje e një fushate të qëllimshme antishqiptare. Akte të tilla dhe përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës u shërbejnë vetëm nxitjes së urrejtjes dhe vështirësojnë kthimin në normalitet të situatës”, nënvizoi Ministria e Jashtme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG