Lidhje

Qeveria, opozita shkëmbejnë akuza


Opozita në Tiranë nuk e pranoi projek-ligjin mbi Byronë Kombëtare të Hetimit, sepse sipas saj, drejtuesit e këtij institucioni të ri kundër korrupsionit qeveritar varen në mënyrë paradoksale nga qeveria. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se projekt-ligji që miratoi dje qeveria për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk është varianti që opozita aprovoi pak kohë më parë me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë. Zoti Basha tha se projekt-ligji i qeverisë nuk përmbushi kërkesën e vetme të opozitës se byroja e hetimeve duhet të varet nga prokuroria. Partia Demokratike dhe më pas Gjykata Kushtetuese hodhën poshtë si të papranueshëm variantin e mëparshëm të qeverisë, sipas të cilit, Byroja e Hetimeve drejtohej nga ministria e brendshme.

Çështja e Byrosë së Hetimeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:02 0:00

“Zoti Rama është mjeshtër i hileve dhe trukeve. Ai miratoi përsëri një projekt-ligj, ku byroja e hetimeve ka varësi nga qeveria e tij. Këtë përpjekje të tij e rrëzoi edhe Komisioni i Venecias me rekomandimet e saj. Ne jemi gati ta votojmë menjëherë ngritjen e Byrosë së hetimeve sapo ajo të varet nga prokuroria” - deklaroi sot zoti Basha.

Qeveria Rama miratoi dje disa ndryshime në ligjin për policinë e shtetit, me të cilat krijohet Byroja Kombëtare e Hetimit, si një strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit. Kryeministri Rama zbardhi sot një pjesë të madhe të negociatave dhe letërkëmbimet e negociatorëve, ku thuhet qartë miratimi i opozitës se varianti i fundit është plotësisht në përputhje me rekomandimet e Venecias dhe ato të Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo është shkruar shqip: “absolutisht ky variant përmbush plotësisht rekomandimin e Komisionit të Venecias dhe Gjykatës së Lartë”. Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë nuk kishte pse të vijonte fjalia tjetër: “Na e sillni sa më parë për votim” - citoi dokumenta nga negociatat mes palëve për Byronë e Hetimeve.

E gjithë dita e sotme në parlament me deklarata, sqarime dhe përgënjeshtrime midis rivalëve politikë, se kush gënjeu apo devijoi apo jo nga qëndrimet e para. Projekt-ligji mund të miratojë thjesht me votat e koalicionit qeveritar, PS-LSI dhe Partia demokratike mundet vetëm të ndikojë në komisionet e parlamentit për ta ndryshuar.

Byroja e Hetimit do të ndjekë 9 lloje korrupsioni shtetëror, objekt i Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Varianti i miratuar nga qeveria thotë se organizimi dhe funksionimi i byrosë hetuese përcaktohet nga ministri për rendin dhe sigurinë, me propozimin e drejtorit të policisë së shtetit, ndërsa veprimtaria e saj drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori.

Drejtori i Byrosë së Hetimit, sipas projektit të ri, emërohet nga radhët e policisë së shtetit, prej ministrit për rendin dhe sigurinë publike, me propozimin e drejtorit të policisë së shtetit dhe pëlqimin e prokurorit të përgjithshëm.

Projekt-ligji vëren se prokurori është autoriteti përgjegjës vendimmarrës në lidhje me hetimet e Byrosë së Hetimit.

Prokurori i Përgjithshëm cakton një ose disa prokurorë të prokurorisë së shkallës së parë për krimet e rënda për të shërbyer me kohë të plotë si prokuror në këtë byro. Ai cakton një prej prokurorëve si drejtues i grupit të prokurorëve në Byronë e Hetimit, theksohet në projekt-ligj.

Në variantin e miratuar nga qeveria, Byroja e Hetimeve është shërbim i Policisë Gjyqësore, punonjësit e saj janë oficerë dhe agjentë të Policisë Gjyqësore dhe se drejtori i Byrosë është drejtues i këtij shërbimi të Policisë Gjyqësore.

Opozita tha se qeveria është përpjekur të bëjë lojëra politike me byronë e hetimeve si bëri me reformën në drejtësi. Partia Demokratike dha kohë më parë mirëkuptimin për ngritjen e kësaj byroje hetimore me kushtin e vetëm që ajo të varej nga Prokuroria e Përgjithshme.

XS
SM
MD
LG