Lidhje

Reforma e drejtësisë; flasin Rama, Basha dhe Meta


Kyeministri Edi Rama i bëri sot thirrje opozitës që t'i qëndrojë propozimit të ambasadores Nuland mbi reformimin e drejtësisë si e vetmja mundësi për kompromis në 21 korrik.

Zoti Rama tha se deri pas mesnate u bë një progres i mirë në disa aspekte teknike mes ekspertëve, por vija e kuqe e SHBA-ve rezultoi e pakapërcyeshme, dhe se propozimi i PD-së është për të hequr ONM-në (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ).

“Jemi përballë një zgjedhje të qartë: ose të votojmë, si duan shqiptarët, për të shpëtuar nga gjyqtarët e korruptuar, ose të votojmë që këta të vazhdojnë të mbajnë peng sistemin gjyqësor.

Ose të ulemi në tryezën e BE-së, ose të turpërohemi duke dalë kundër SHBA dhe Europianë, duke refuzuar ndihmën e tyre për të fshirë papastërtitë e drejtësisë tonë” - tha zoti Rama.

Ai tha se opozitës iu plotësua çdo kërkesë e negociueshme dhe ajo ka arritur shumë, por nuk ia plotësojmë dot kërkesën për të dalë kundër SHBA dhe BE, sepse këta janë garancia e fshesës së hekurt kundër të korruptuarve.

“Jam gati deri në orën 10 të enjten, por kemi arritur deri në një bllokim absurd. Kjo nuk është reforma ime, nuk është reforma e një partie. Të bashkojmë të dy koalicionet dhe të ngremë duart lart me kartonin jeshil dhe të miratojmë reformën në drejtësi” - tha zoti Rama.

Ai zhvilloi sot një takim me kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Ndëkohë kryetari i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi një takim me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, pjesëtar i koalicionit qeveritar, njëkohësisht kryetar i parlamentit.

Zoti Basha tha se kryeministri Rama po bën një përpjekje ogurzezë për të shkatërruar konsensusin. “Rama nuk dëshiron të lejojë PD-në të bashkojë votat në një proces konsensual. Dolën petët e lakrorit, kush e do konsensusin dhe kush do ta sabotojë atë” - tha zoti Basha.

Ai tha se ishte i gatshëm t’i drejtohej Brukselit për të shpartalluar “komplotin e kryeministrit” ndaj reformës në drejtësi.

“PD ka votat gati për të votuar në parim draftin, dhe dy çështjet e rikthyera në tryezë, nëse nuk zgjidhen dot, do ta zgjidhim në Bruksel bashkë me Metën për të shpartalluar komplotin e Edi Ramës”, tha ai.

Ndërsa zoti Meta shprehu optimizmin se korrupsioni nuk luftohet me korrupsion dhe krim të organizuar.

“Nuk mund të bëhet reforma në mënyrë jo shumë transparente dhe si telefon i prishur. Politika armiqësore dhe përjashtuese nuk e ndihmon drejtësinë. Shqiptarët duhet të dalin të bashkuar pas së enjtes, me besim se Shqipëria do të hedhë një hap madhor.”, - tha ai.

XS
SM
MD
LG