Lidhje

Tiranë, pasuritë e krimit, firmoset marrëveshja


Katër ministra dhe prokurori i përgjithshëm nënshkruajnë memorandumin e bashkëpunimit për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të organizatave kriminale

Në Tiranë sot u firmos mes disa institucioneve qëndrore një memorandum bashkëpunimi për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar. Një akt i cili pritet të cojë në një koordinim më të mirë për të thelluar luftën ndaj organizatave kriminale e për t’i shndërruar në vlera në favor të shtetit pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme prej tyre.

Që kur i ashtuquajturi ligj Antimafia hyri në fuqi para pak vitesh, instrumentat në duart e institucioneve të Drejtësisë u rritën, jo vetëm për të luftuar më fort organizatat kriminale, por vecanërisht për të goditur pasuritë e vëna prej tyre. Sot katër ministra të qeverisë shqiptare, prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla, hodhën firmat mbi një dokument i cili parashikon bashkëpunimin mes tyre, duke thjetëzuar procedurat e duke detajuar rolin e secilit prej institucioneve.

Të gjithë e vlerësuan memorandumin e bashkëpunimit si një hap të rëndësishëm, edhe sepse sic u shpreh prokuori i përgjithshëm Adriatik Llalla aktivitetet e paligjshme kanë njohur sofistikime të ndjeshme dhe se krimi i organizuar tashmë ka arritur nivele që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuar: “Pasuri të krijuara në mënyrë të paligjshme ka dyshime se përdoren për të korruptuar organet e zbatimit të ligjit që ndjekin hetimet për këtë lloj aktiviteti kriminal. Po ashtu, prirja e personave të përfshirë në aktivitete të krimit të organizuar është përdorimi i këtyre të ardhurave në aktivitete të ligjshme, duke synuar në këtë mënyrë fshehjen e prejardhjes kriminale të tyre”.

Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, vendi i të cilit përmes misionit Opdat ka ndihmuar në ngritjen e Agjencisë së Administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të sofistikuara si dhe në hartimin e memorandumit të sotëm, u shpreh se kriminelët nuk duhet të lejohen të përfitojnë nga krimet e tyre, dhe se prokurorët, veçanërisht në çështjet e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të konfiskuar përfitimet e paligjshme të të akuzuarve: "Konfiskimi i të ardhurave nga krimi ndihmon të parandalojë kriminelët në financimin e mëtejshëm të aktiviteteve të paligjshme. Kur një qeveri është në gjendje të sekuestrojë asete dhe t’i konfiskojë ato, kjo kthehet në një burim të ardhurash për qeverinë të cilat pastaj mund të përdoren për të vazhduar luftën kundër krimit".

I së njejtës ide ishte edhe ministri I Drejtësisë Eduard Halimi sipas të cilit duhet bërë gjithshka për dobësimin e fuqisë ekonomike të organizatave kriminale dhe pengimin e infiltrimit kriminal në ekonominë e ligjshme: “Me anë të këtij akti ne presim të lehtësojmë ekzekutimin e vendimeve në favor të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, duke marrë masa parandaluese për pasuritë, nëpërmjet marrjes në administrim të gjithë pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, regjistrimin si pasuri shtetërore dhe shitjen e të gjithë pasurive të konfiskuara për llogari të shtetit. Pasuri të cilat do të përdoren për të luftuar krimin e organizuar, praktikisht ata do na financojnë për t’i luftuar”.

Sipas ministrit të Brendshëm Flamur Noka, që nga hyrja në fuqi e ligjit antimafia llogaritet të jenë sekuestruar pasuri me një vlerë mbi 28 milion euro.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG