Lidhje

Bashkia e Tiranës: Nis nga puna në terren administrata e re


Me reformën e re administrative territoriale hapësira e bashkisë së Tiranës është shtuar 25 herë, po ashtu u rrit edhe numri i banorëve të saj.

Bashkia e re e kryeqytetit nisi nga puna me lirimin e trotuareve për kalimtarët.

Pothuaj çdo hapësirë publike; lulishte, sheshe e trotuare janë të bllokuara nga individë dhe biznese të shummëlojshme, nga kafenetë dhe deri qindra shitës ambulantë.

“Fillimisht në njësinë bashkiake nr.5, janë liruar hapësira të gjera publike dhe trotuare nga tryezat e kafeneve, hekura, gardhe dhe vazot e betonit” - thotë Arbjan Mazniku, nënkryetar i bashkisë së Tiranës, e sipas tij, kjo punë do të vazhdojë në të gjithë territorin.

Shumica e bizneseve pranë rrugëve jo vetëm nuk kundërshtuan por madje bashkëpunuan në largimin e objekteve të përhapura në trotuare.

Administrata e re e bashkisë pohon se gjeti një situatë të rëndë në menaxhimin e territorit, ndërsa drejtuesit demokratë të bashkisë theksuan se pasuesit e tyre socialistë po keqpërdorin të dhënat për të fajësuar paraardhësit, të cilëve iu ndërprenë nga qeveria fondet për investime dhe mirëmbajtje.

Ndërkaq, një tjetër sfidë e bashkisë së re është edhe pastrimi i qytetit, i cili po keqësohej çdo ditë gjatë tranzicionit të zgjedhjeve vendore.

Drejtuesit e rinj thanë se bashkia e ka tashmë buxhetin të rënduar me borxhe dhe se po përpiqen ta rimëkëmbin.

Ish-drejtuesit demokratë të bashkisë deklaruan menjëherë se edhe ata e gjetën bashkinë e dorëzuar nga paraardhësi socialist me disa herë më shumë borxhe se ç'po e linin vetë dhe se ato ishin procedura të zakonshme pune.

“Bashkia ka ftuar qarqet e biznesit të birësojnë nga një çerdhe për të rregulluar kushtet e jetesës për fëmijët. Edhe me bizneset e kryeqytetit po ndërtohet një bashkëpunim për të mbledhur sa më shumë taksa në këmbim të sa më shumë shërbimeve” - theksoi zoti Mazniku.

Megjithëse Tirana tani është 25 herë më e madhe, bashkia e re është angazhuar që të ofrojë shërbime të njëtrajtshme në të gjithë territorin pa lënë mënjanë asnjë periferi.

Shërbimet po riorganizohen të gjitha, nga transporti qytetas, deri tek shërbimet administrative më të thjeshta.

Kryeqyteti tani është bashkuar me një seri komunash, që deri dje e ndanin distanca të gjata për t'u përshkuar dhe rrugë të prishura, ndërsa reforma territoriale fshin diferencat mes fshatit dhe qytetit, qendrës dhe periferive.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG