Lidhje

Bashkia e Tiranës u thotë ndal ndërtimeve pa leje


Bashkia e Tiranës u thotë ndal ndërtimeve pa leje

Bashkia e Tiranës u thotë ndal ndërtimeve pa leje

Policia bashkiake nisi sot shkatërrimin e një tjetër ndërtimi të paligjshëm në qendër të Tiranës. Një duzinë me policë dhe punëtorë shoqëruar nga drejtori i policisë bashkiake u ngjitën qysh në mëngjes në tarracën e pallateve të mbiquajtura Shallvaret për të shembur një ndërtesë e ngritur me shpejtësi gjatë fushatës së fundit për zgjedhjet vendore. Pas disa kundërshtimeve të para banorët e pranuan se kishin shkelur ligjin dhe lejuan policinë që të vepronte.


“Si gjithë të tjerët, bëmë edhe ne një ndërtim. Tani bashkiake dhe policia bashkiake kanë vendosur për ta shembur. Ne jemi dakord me vendimin e marrë. Nuk bëmë përpjekje për leje të rregullt se nuk ishte koha. Pushteti shkonte pas zgjedhjeve, votat këndej e votat andej dhe nuk kishim mundësi” - thotë Flamur Kola, pronari i ndërtesës pa leje.

Operacioni policor u ndoq nga shumë kalimtarë dhe banorë të lagjes. Ata mendojë se Tirana ka shumë ndërtime të paligjshme dhe nevojiten akoma më energjike për të vendosur rregull në urbanistikë. “Veprimi i ligjit është i nevojshëm se ndryshe nuk mbahet rregulli. Megjithatë më vjen keq për ata njerëz sepse kanë investuar në mënyrë të gabuar dhe gjthë kursimet e tyre shkojnë dëm. Duhet menduar një çikë më thellë që njerëzit të mos e arrijnë drejtësinë në këtë mënyrë. Duhet të funksionojë shteti në të gjithë hallkat e veta që të mos arrijnë njerëzit deri këtu. Kemi trashëguar një Tiranë shumë rrëmujë dhe ndjej një keqardhje të madhe për gjendjen ku është sot. Sinqerisht duhet një dorë dhe më duket se e vështirë se situata urbanistike ka mbërritur në një pikë që nk mban më” - thotë Bledar Bejtja, një qytetar i Tiranës që ndoqi rastësisht operacionin e policisë ndërtimore.

Policia bashkiake ka tani një drejtor të ri dhe ai duket shumë i vendosur për të vendosur rregull në kryeqytet, dhe e ka nisur menjëherë me rrëzimin e një pallati 5 katësh. Të gjithë e përshkruajnë si njeri që flet pak dhe punon shumë. Drejtori Florenc Hoxha përsërit vazhdimisht se do të rrëzohet çdo ndërtesë e paligjshme në Tiranë. Deri tani brenda një jave janë futur në listë mbi 70 ndërtesa të tilla. Ai premton se zbatimi i ligjit do të jetë këtej e tutje një punë rutinë e bashkisë me kryetarin e ri Lulëzim Basha.

“Brenda dy ditësh kjo është ndërtesa e gjashtë pa leje që po shembet. Me riorganizmin e policisë bashkiake dhe me pajisjen e tyre me mjete moderne do të shtohen më shumë prishja e këtyre objekteve. Ju bëj thirrje qytetarëve të kryeqytetit që të mos investojnë më në ndërtime të paligjshme, sepse do të shkatërrohet menjëherë. Bashkia ka ndryshuar dhe tani do të zbatojë ligjin çdo ditë. Bashkia do t’i shembë ndërtimet pa leje dhe do të heqë mbeturinat për ta kthyer terrenin në gjendjen e mëparshme” - thotë zoti Hoxha.

Kryeqyteti i Shqipërisë ka njëzet vjet që vuan nga ndërtimet e paligjshme dhe pakkush është përpjekur të zbatojë rregullat minimale të urbanistikës. Tirana ende nuk ka një plan urbanistik zhvillimi, ndërkohë që mijëra banorë të vjetër e të rinj, firma të rregullta e të parregullta ngrejnë ndërtime duke bllokuar trotuaret, tarracat, lulishtet dhe parqet, duke ngushtuar fare mjediset e përbashkëta të qytetarëve.

XS
SM
MD
LG