Lidhje

Bashkia e Tiranës urdhëroi hipotekimin e 420 pallateve pa leje shfrytëzimi


Bashkia e Tiranës urdhëroi hipotekimin e 420 pallateve pa leje shfrytëzimi

Bashkia e Tiranës urdhëroi hipotekimin e 420 pallateve pa leje shfrytëzimi

Mbi 3 mijë familje kryeqytetase në 420 pallate pritet të marrin hipotekat e vonuara të banesave brenda vitit, pas kapërcimit që bashkia e Tiranës u bëri procedurave formale mbi lejet e shfrytëzimit të objekteve. Nga burime zyrtare bëhet e ditur se bashkia i ka kërkuar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive që të regjistrojnë objektet pa leje shfrytëzimi, në fakt një hap ky tashmë i kryer sepse në pallatet me shkelje të lejeve të ndërtimit jetojnë prej shumë vitesh me mijëra familje.

Kjo është faza e dytë e planit të bashkisë për të legalizuar mijëra banesa në 420 pallate me shkelje të ndryshme në projekt, pa leje shfrytëzimi dhe me taksa të papaguara, me qëllim që të lehtësohet jetesa e qytetarëve në to. Faza e parë u mbyll me hipotekimin e 124 banesave me parregullsi të vogla. Shumë familje banojnë në pallate të reja prej vitesh, por nuk mund të marrin çertifikatën e pronësisë për një mori pengesash burokratike të ligjit, që është anashkaluar nga ndërtuesit. Bashkia ka marrë përsipër që brenda 30 ditësh të pajisë me leje shfrytëzimi ato ndërtime që kanë bërë kërkesë, dhe të dërgojë për hipotekim edhe të gjitha ato pallate, për të cilat pronarët e firmave nuk kanë kërkuar leje shfrytëzimi.

Urdhëri i ri i bashkisë së Tiranës është rezultat i marrëveshjes që ajo nënshkroi disa javë më parë me ministrinë e drejtësisë dhe atë të ndërtimit për të zgjidhur çështjen e pallateve pa hipoteka, ku banorët blenë hyrje me çmime të konsiderueshme. Shoqata e ndërtuesve e mirëpriti nismën e qeverisë dhe të bashkisë për lehtësimin e procedurave në hipotekimin e vonuar të qindra banesave. Ndërtuesit pohojnë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë për të kapërcyer këtë situatë të vështirë me shkelje ligjore nga një anë dhe me nevojën për të lëshuar tapitë e shtëpive të reja në anën tjetër.

Sipas të dhënash jo të plota nga qeveria dhe ndërtuesit, vetëm në kryeqytet janë rreth se 500 pallate të pahipotekuara dhe mijëra apartamente pa certifikata pronësie. Analistët besojnë se ky proces hipotekimi do të shtojë transparencën dhe do të ulë mundësitë e korruptimit të zyrtarëve. Shumë ndërtues morën leje ndërtimi, por ngrinin më shumë kate duke shelur projektin dhe duke e bërë të pamundur marrjen e lejes së shfrytëzimit. Këto hipotekime pritet të hedhin në treg mijëra apartamente, që llogariten në rreth 800 milionë euro. Hipotekimi masiv i tanishëm shihet nga studiuesit si një hap pozitiv, i ngjashëm njëkohësisht me amnistinë dhe moratoriumet, për të vënë rregull në fushën e ndërtimeve në kryeqytet.

XS
SM
MD
LG