Lidhje

BE i jep Shqipërisë 64 milionë euro për reforma


Bashkimi Europian nënshkroi së fundi me Shqipërinë një marrëveshje për të financuar me rreth 64 milionë euro projekte reformuese në infrastrukturë, sundimin e ligjit dhe të drejta njerëzore. Përfaqëues të Bashkimit Europian pohuan se financimet vijnë si mbështetje për reforma kyçe në Shqipëri.

Ndërkohë që janë mbështetur projekte të mëparshme, projektet e reja të financuara përfshijnë 6 fusha kryesore si drejtësia, rendi, administrata, transporti, mjedisi, dhe bujqësia. Ato parashikojnë përmirësim të gjykatave dhe çështje të rendit të brendshëm, reformim të administratës publike, rritjen e cilësisë së transporteve dhe pastërtisë së mjedisit, si dhe shtimin e punësimit në bujqësi, përfshirje sociale dhe zhvillim në zonët rurale.

Sipas komenteve nga ekspertët e BE-së pjesën më të madhe të këtyre financimeve pritet ta përfitojë sektori i bujqësisë me 36 milionë euro për zhvillimin rural, punësim në bujqëi dhe për të përmirësuar sistemet e furnizmimit me ujë. Përfituesi i dytë më i madh në këto financime është sistemi gjyqësor për të rritur pavarësinë dhe luftën kundër krimit të organizuar. Drejtësia dhe sektorë të brendshëm të saj po marrin nga BE këtë vit 16 milionë euro për të forcuar sundimin e ligjit dhe përgjegjësinë e sistemit gjyqësor.

Projekte me vlerë rreth 9 milionë euro do të përfitojë reformimi i administratës publike. Pas kësaj BE i jep Shqipërisë 8 milionë euro në projektet për mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Këto projekte do ta ndihmojnë qeverisjen vendore me ripërdorimin, riciklimin, përpunimin dhe hedhjen e mbeturinave. Meqenëse krizat ekonomike godasin më shumë zakonisht shtresat e varfëra dhe të dobëta, BE u ka dhënë autoriteteve shqiptare 6.5 milionë Euro për punësimin e tyre dhe përfshirjen sociale.

Projektet do të mbështesin shërbimet këshilluese për bizneset e vogla dhe të mesme si dhe arsimin profesional. Ndërkohë që 4 milionë Euro të tjera do të shkojnë për projekte të tjera paralele si ai për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në rajonin ndërkufitar të Liqenit të Ohrit.

Krijimi i një rrjeti rrugor të unifikuar nga zonat rurale deri në linjat kryesore të transportit kombëtar dhe rajonal do të tërheqë projekte deri në 2 milonë euro për sektorin e transportit.

Sipas përfaqësuesve të BE-së, pritet që kjo ndihmë me financime të sjellë rezultate të dukshme me reformat dhe të përmirësojë jetën në vend. BE i ka kërkuar Shqipërisë pesë detyra kyçe, që në rrugën e integrimit europian të reformojë administratën publike dhe drejtësinë, të shtojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të përforcojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pronës. Këto shihen si detyra me rëndësi të madhe para se Shqipëria të përmbushë kushtet për t’u anëtarësuar në BE, dhe për të tërhequr investime të huaja, duke përmirësuar cilësinë e qeverisjes në dobi të qytetarëve shqiptarë.

Nga një marrëveshje tjetër më vonë gjatë këtij viti do të sjellë financime pej afro 17 milionë euro mbi projekte në fusha strategjike. Shqipëria mund të përfitojë nga ndihma e parapranimit e BE-së. Nga dialogu i vazhdueshëm me qeverinë, shoqërinë civile dhe donatorët, projektet e financuara synojnë integrimi europian të Shqipërisë dhe zhvillim ekonomik. Që nga vitit 1991 BE ka financuar projekte në Shqipëri rreth 1.4 miliardë Euro, duke u bërë kështu mbështetësi më i madh në rrugën e integrimit.

XS
SM
MD
LG