Lidhje

Bashkimi Evropian nuk bie dakord mbi ndryshimin e traktatit

  • Zëri Amerikës

Bashkimi Evropian nuk bie dakord mbi ndryshimin e traktatit

Bashkimi Evropian nuk bie dakord mbi ndryshimin e traktatit

Udhëheqësit evropianë u zotuan sot për një disiplinë buxhetore më të fortë për të zgjidhur krizën e borxheve, por nuk arritën të binin dakord për t’i bërë një ndryshim traktatit të Bashkimit Evropian, të diktuar nga rrethanat ekonomike.

Zyrtarët thanë se një marrëveshje që përfshin të 27 vendet anëtare dështoi sot në takimin e nivelit të lartë në Bruksel pasi kryeministri britanik David Cameron kërkoi lëshime që Gjermania dhe Franca nuk ishin të gatshme të bënin.

Diplomatët thanë se pakti i ri mund të përfshijë tani 17 vendet e bllokut që përdorin euron dhe çdo vend tjetër që mund të dojë të bashkohet me ta. Zoti Cameron tha se marrëveshja e re nuk do të përfshijë Britaninë.

"Interesat e Britanisë në Bashkimin Evropian – mbajtja e tregjeve të hapura, tregëtia e lirë, shitja e mallrave dhe e shërbimeve tona me rregullore ndaj të cilave ne kemi forcë – të gjitha këto janë të mbrojtura dhe nuk ndryshojnë. Por ky raund i ri integrimi dhe kompetencat e veçanta, dorëzimi i sovranitetit për vendet evropiane dhe të tjerë që duan ti bashkohen euros, do të jetë jashtë traktatit të Bashkimit Evropian. Ne nuk do tja paraqesim këtë traktat të ri parlamentit, pasi Britania nuk do të përfshihet në të", tha zoti Cameron.

Presidenti francez Nikola Sarkozi tha se do të kishin preferuar një marrëveshje që përfshinte të gjitha vendet anëtare të BE-së por kërkesat e Britanisë nuk mund të plotësoheshin.

"Për të pranuar një reformë të traktateve me të 27 vendet, David Cameron kërkoi atë që ne e konsiderojmë të papranueshme: një protokoll, brenda traktatit, që do të lejonte të përjashtonte Britaninë nga një sërë rregullash përsa u takon shërbimeve financiare. Këtë ne nuk do ta pranonim pasi mendojmë të kundërtën, se një pjesë e problemeve në botë vjen nga liberalizimi i shërbimeve financiare".

Megjithatë presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso e quajti marrëveshjen përparim.

"Fakti që tani të gjithë këto shtete anëtare janë angazhuar ndaj shtrëngimit të rregullave fiskale është sigurisht një hap shumë i rëndësishëm. Mendoj se një pikë tjetër që u diskutua dhe për të cilën u ra dakord ishte njohja e përpjekjeve të rëndësishme të bëra nga shtetet anëtare. Ne folëm për masat e tanishme të bëra nga qeveria italiane, përshëndetëm këto masa si shumë të rëndësishme dhe në përgjithësi zhvillimet pozitive përsa u përket programeve të vendeve dhe veçanërisht të Irlandës dhe Portugalisë dhe gjithashtu prespektivën e një programi të ri për Greqinë".

Ekonomia në 17 vendet e eurozonës pothuajse ka ngecur me disa analistë që thonë se ka hyrë tashmë në recesion. Banka Qendrore Evropiane ndërmori një hap përpara takimit të nivelit të lartë për të nxitur huadhëniet, duke ulur nivelin e interesave me zero presje 25 përqind, ulja e dytë në dy muaj.

Por aksionet ranë në tregjet evropiane dhe amerikane pasi presidenti i bankës, Mario Dragi u dha fund spekulimeve se banka qendrore mund të shtojë blerjen e borxheve të qeverive evropiane si një mënyrë për të shkurtuar kostot e huamarrjes.

XS
SM
MD
LG