Lidhje

Bashkimi, mësim historik 100 vjeçar i Vatrës


Federata pan-shqiptare e Amerikës Vatra mbush sot 100 vjeç dhe festimet kanë filluar me seminarin shkencor ku marrin pjesë një numër studiuesish, historianësh dhe intelektualësh nga diaspora dhe trojet shqiptare. Ndërsa seminari vazhdon punimet, vatranët, të rinj e veteranë reflektojnë mbi rrugëtimin 100 vjeçar të Vatrës. Kolegu ynë Astrit Lulushi u ndal në selinë e Vatrës në lagjen Bronx nga ku dërgoi këtë material.

Janë disa fakte që shpesh mbeten në hije, dhe natyrëshem mund të harrohen. Për shembull Vatra u krijua më 28 prill, 100 vjet më parë në Boston, por qendra e Vatrës sot ndodhet në New Yorkut.

Kryetari i Vatrës, Doktor Gjon Buçaj thotë se në fillim të viteve 1980, u vu re se popullata shqiptare në Nju Jork ishte shtuar shumë, prandaj kishte edhe nevojë për një organizim a shoqatë. Ndërkohë edhe kryetari i asaj kohe i Vatrës ndjente se Vatra kishte nevojë për një përtëritje dhe propozoi që selia e saj të zhvendosej nga Bostoni në Nju Jork ku veprimtaria ishte më dinamike. Doktor Buçaj thotë se Vatra duhet kuptuar si koncept e pastaj si institutucion.

Faik Konica, një nga themeluesit kryesorë të saj, mendonte se shqiptarëve u duhej shumë punë për të arritur atjo ku donin, dhe për këtë arsye me 1912, propozoi që shoqata e re të quhej, Parmenda, simbol i punës dhe ndryshimit. Vatrani veteran Uran Kostreci, ish i përndjekur politik, shkrimtar e poet thotë se me këtë ide Konica ishte vertetë largpanës e idealist. Por kur pa se shumë vetë nuk e pëlqyen këtë emër, Konica dhe Noli zgjodhën emrin Vatra, edhe ky një tjetër koncept largpamës, sepse për të arritur qëllimet e tyre atdhetare, shqiptarët duhet të ishin të organizuar, prandaj u duhej bashkim. Dhe Vatra është simbol i bashkimit dhe mirëkuptimit - mësime 100 vjeçare të Vatrës, që vlejnë edhe sot, thotë Uran Kostreci.

Këtë muaj prill, organi i Vatrës, gazeta Dielli del me një numër special prej mbi 100 faqesh. Kryeredaktori i gazetës Dielli, Dalip Greca thotë se në këtë numër të posaçëm, lexuesi mund të njihet e kuptojë pak-a-shumë historinë e kësaj shoqate, e cila krenohet me 100 vjetorin e saj.

Kryeredaktori i gazetës Dielli, Dalip Greca thotë se selia e Vatrës ka nevojë të zgjerohet dhe shpreson që së shpejti gazeta e përmuajshme Dielli të dalë e përdyjavëshme.

XS
SM
MD
LG