Lidhje

Spiunazhi ekonomik, Kina thërret ambasadorin amerikan


Kina ka thirrur ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Pekin pasi Uashingtoni akuzoi pesë oficerë ushtarakë kinezë për spiunazh ekonomik kundër kompanive amerikane.

Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua tha sot se ministria e jashtme e Kinës ka bërë një "përfaqësim solemn" për ambasadorin Max Baucus.

Një juri federale në Shtetet e Bashkuara dje paditi pesë anëtarë të ushtrisë kineze nën akuzat për spiunazh kibernetik kundër gjashtë bizneseve amerikane. Analistët thonë se masa dërgon një sinjal të fuqishëm në Kinë se Uashingtoni ka arritur kufirin e durimit mbi këtë çështje. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natalie Liu sjell hollësitë.

Aktakuza kundër pesë oficerëve të ushtrisë kineze shënon herën e parë të ngritjes së një akuze kriminale kundër aktorëve shtetëror për pirateri ndaj biznesit amerikan. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuar Eric Holder dje njoftoi akuzën.

"Ne duhet të shprehim kundërshtimin tonë, kur një vend i huaj përdor burimet ushtarake apo ato të zbulimit kundër një ekzekutivi apo një korporate amerikane për të marrë sekretet tregtare ose informacione të ndjeshme të biznesit për t’ia dhënë ato kompanive të saj shtetërore, "mjaft më"”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kanë vjedhur të dhënat e kompanive amerikane të enegjisë bërthamore, kompanitë metalike dhe kompanitë e prodhimit të energjisë diellore.

Pesë oficerë kinezë tani janë në listën e të kërkuarve të FBI-së. Ata janë Wang Dong, i njohur gjithashtu si Jack Wang ose Ugly Gorilla, Sun Kailiang, i identifikuar si një kapiten në Ushtrinë Popullore Çlirimtare, Ven Xinyu, Huang Zhenyu, dhe Gu Chunhui.

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar autoriteteve kineze të ndalin spiunazhin kibernetik kundër kompanive amerikane.

James Lewis është analist në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

"Në këtë mënyrë amerikanët u thanë kinezëve se ata kanë ngritur këtë çështje në bisedat private duke thënë se ky është një problem shumë serioz të cilin kinezët nuk e kanë trajtuar, tani amerikanët po i kërkojnë publikisht kinezëve se çfarë do të bëjnë për këtë problem?"

Kina i denoncoi menjëherë akuzat si "të fabrikuara" dhe tha se ato do të minonin besimin mes të dy qeverive. Në shenjë proteste, Pekini tha se po anulon aktivitetet e një grupi pune kinezo-amerikan në fushën e internetit.

Ndërsa analistët dyshojnë se Pekini do të bashkëpunojë me Uashingtonin për të ekstraduar pesë zyrtarët kinezë, ata janë dakord se aktakuza e djeshme ka një domethënie simbolike.

John Carlin është Ndihmës Prokuror i Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare.

"Për herë të parë, ne kemi nxjerrur fytyrat dhe emrat e atyre që përdorin kompjuterët në Shangai për të vjedhur të dhëna nga bizneset amerikane".
XS
SM
MD
LG