Lidhje

BBC-ja në krizë gjatë 90 vjetorit

  • Selah Hennesy

Drejtori i Përgjithshëm i saj u largua nga posti, si dhe janë ngritur shqetësime mbi të ardhmen e rrjetit

Kjo javë shënon 90 vjetorin e transmetimit të parë të BBC-së në radio, në vitin 1922. Por ky përvjetor historik po kalon nën hijen e një sërë krizash që kanë tronditur agjencinë e transmetimeve në javët e fundit. Drejtori i Përgjithshëm i saj u largua nga posti, si dhe janë ngritur shqetësime mbi të ardhmen e rrjetit të financuar me fonde publike.

Gjatë historisë së saj 90-vjeçare, BBC-ja është bërë një nga institucionet më të çmuara të Britanisë.

Por në javët e fundit, rrjeti i transmetimeve ka qenë më tepër objekt i lajmeve sesa një përcjellës i tyre, pasi u përfshi në atë që disa thonë të jetë kriza më e rëndë në historinë e tij.

Titujt në gazeta përmendin "kaos" dhe "trazira".

Kriza filloi në tetor, kur filluan të shfaqeshin akuza kundër një prezantuesi për një kohë të gjatë të BBC-së, Jimmy Savile. Policia beson se Savile mund të ketë abuzuar deri në 300 njerëz në katër dekada, duke përfshirë pjesëmarrës të mitur në programet e BBC-së. Rrjeti publik u kritikua për mos bërjen publike të hetimeve të veta ndaj Savile.

Më pas, në fillim të këtij muaji, BBC-ja transmetoi një program që akuzonte pa të drejtë një politikan britanik për abuzim të fëmijëve. Më vonë u mësua se politikani ishte identifikuar gabim. Programi Newsnight kërkoi falje në mënyrë të plotë.

Stewart Purvis, një akademik dhe ish gazetar, thotë se dy ngjarjet, të dyja të lidhura me akuza për abuzim të fëmijëve, kanë shkaktuar një krizë të besimit tek BBC-ja.

Duke folur për Zërin e Amerikës, ai tha se ky është një lloj i ri krize për rrjetin e transmetimeve me fonde publike.

"Çështja kryesore gjatë gjithë historisë së BBC-së kanë qenë marrëdhëniet e saj me qeverinë e rradhës. Ka patur disa raste, në të cilat janë krijuar tensione midis tyre. Këtë rradhë nuk kemi të bëjmë me një gjë të tillë. Kemi të bëjmë me marrëdhëniet ndërmjet BBC-së dhe shikuesve dhe dëgjuesve të saj. Kjo është arsyeja pse disa njerëz mendojnë se kjo është kriza më e madhe që ka përjetuar, pra kjo krizë e besimit."

Për të rifituar atë besim shumë njerëz thonë se BBC-ja duhet të bëjë ndryshime në sistemin kompleks dhe të gjerë të administrimit. Deri tani, prej krizës janë larguar nga posti i tyre drejtues të ndryshëm të agjencisë.

Vetëm 54 ditë pas marrjes së detyrës, drejtor i përgjithshëm George Entwistle dha dorëheqjen. Shefja e lajmeve dhe zëvendësi i saj gjithashtu janë larguar.

Duke folur për vetë BBC-në, kryetari i saj, Chris Paten, tha se organizata duhet të reformohet.

"Nëse po pyesni, nëse BBC-ja ka nevojë për një rregullim strukturor radikal, përgjigja është: absolutisht që po."

Zoti Purvis thotë se është pikërisht ajo që BBC-së i duhet për të kaluar krizën.

"Mendoj se problemi është fakti që drejtuesit e tanishëm të BBC-së nuk kanë bërë sa duhet për çështjen. Do të nevojitet një trup i ri drejtues për BBC-në, dhe në qoftë se këta njerëz do të jenë të aftë, ata do të fitojnë përsëri besimin e publikut."

Në rrugë, mendimet në lidhje me reputacionin e BBC-së janë të ndryshme.

"Mendoj se duhet ta vlerësojmë BBC-në. Është një institucion i mrekullueshëm."

"Nuk kam më besim tek ata, siç kisha më parë."

Tani BBC-ja është duke punuar me përkushtim për ta fituar sërish atë besim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG