Lidhje

BE, përsëri "jo" hyrjes së Bullgarisë e Rumanisë në Shengen


Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë se shtyrja ka të bëjë me sigurinë e qytetarëve, prandaj kanë vendosur të mos nxitohen në marrjen e një vendimi

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vendosën të mos e hidhnin në votë sot kandidaturën e Bullarisë dhe Rumanisë për të hyrë në Zonën Shengen. Ata thanë se shtyrja e procedurave ka të bëjë me sigurinë e qytetarëve, prandaj kanë vendosur të mos nxitohen në marrjen e një vendimi.

Zyrtarët evropianë i bënë komentet në prag të një takimi për këtë çështje në Bruksel.
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Hans Peter Friedrich, tha se Bullgaria dhe Rumania duhet të përmirësojnë gjendjen politike dhe të luftojnë krimin e organizuar:

"Kemi vënë re arritje të rëndësishme, sidomos në Bullgari. Kam përshtypjen se lufta kundër krimit të organizuar po shkon mirë, por ende ka pika të dobta, sidomos përsa i përket funksionimit të sistemit juridik. Prandaj nuk mund të heqim dorë nga kontrollet kufitare. Deklarata ime është e qartë: Ende nuk ka ardhur koha," tha ministri gjerman.

Por homologu i tij bullgar, zëvendëskryeministri dhe ministri i brendshëm Tsvetan Tsvetanov, nuk është dakord.

"Ajo që ka rëndësi për mua është vazhdimi i bashkëpunimit mes policive dhe ruajtja e kufijve të brendshëm të BE-së. Bullgaria i ka arritur të gjitha këto kritere. Dua t'ju kujtoj se korrikun e kaluar, në Bullgari u kapën 16 ton hashash me destinacion Holandën dhe Belgjikën," tha ministri bullgar.

Nga ana e tij, Ministri i brendshëm gjerman, Friedrich, tha se shtyrja e votimit ka të bëjë me sigurinë e qytetarëve dhe në këtë rast nuk mund të bëhen kompromise:

"E kuptoj zhgënjimin por besoj se duhet të qetësohemi pak rreth kësaj çështjeje dhe të shohim se ne jemi përgjegjës për sigurinë e qytetarëve tanë, çka është gjithashtu në interes të qeverive përkatëse, prandaj nuk ka arsye për t'u zhgënjyer," tha zoti Friedrich.

Rumania dhe Bullgaria janë përpjekur të bindin partnerët e tyre në Bashkimin Evropian se reformat në sistemin gjyqësor po sjellin fryte që nga anëtarësimi i tyre në vitin 2007. Raportet e monitorimit nga ana e Komisionit Evropian vazhdimisht kanë patur kritika të forta ndaj këtyre dy vendeve, të cilat shpresonin të hynin një Shengen në mars 2011.

Dy vendet, që kanë dalje në Detin e Zi, ndodhen në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme për trafikun e qenieve njerëzore, të drogës dhe të armëve. Ato thonë se po bëjnë ç'është e mundur për t'i luftuar këto dukuri.

XS
SM
MD
LG