Lidhje

BE dhe burimet natyrore të zonave të konfliktit

  • Joe Capua

Komisioni Evropian do të publikojë deri në fund të vitit një projektligj që synon të mos lejojë kompanitë të blejnë burime nga zonat e konfliktit. Një koalicion i gati 60 OJQ-ve ka formuluar rekomandimet e veta se çfarë dispozitash duhet të përmbajë ligji.

Objekti i projektligjit janë firmat që bëjnë biznes në vende si Republika Demokratike e Kongos, Zimbabveja, Republika e Afrikës Qendrore, Kolumbia dhe Birmania. Shumë nga burimet natyrore të këtyre vendeve janë mjaft të kërkuara, veçanërisht për produktet elektronike.

Sophia Pickles e grupit Global Witness është zëdhënëse e koalicionit.

"Ne kërkojmë të shohim që Komisoni Evropian të miratojë një ligj, pra një kërkesë të detyrueshme për kompanitë në BE, që të shfrytëzojnë në mënyrë të përgjegjshme burimet minerale. Me këtë dua të them, të marrim masa që burimet natyrale që ato përdorin të mos financojnë konflikte dhe shkelje të të drejtave të njeriut diku gjetkë në botë".

Koalicioni thotë se kompanitë duhet të përdorin atë që quhet “furnizim i arsyeshëm”. Kjo do të thotë të kontrollojnë nga vijnë burimet dhe çfarë rruge ndjekin ato për të mbërritur tek këto kompani.

"Nuk është faktikisht aq e vështirë të gjesh gjurmët e zinxhirit të furnizimit – diçka që e kam bërë vetë me mineralet që vijnë nga lindja e Republikës Demokratike të Kongos, si për shembull kallaji apo ari, që në disa raste mund të kenë financuar grupe të armatosura dhe shkelje të të drejtave të njeriut".

Kjo, thotë ajo mund të kërkojë që disa kompani të ndryshojnë mënyrën e bërjes së biznesit.

"Kjo nuk bëhet vetëm për të vendosur një standart, por edhe në respekt të normave ndërkombëtare dhe në disa raste të ligjeve që ekzistojnë tashmë e që kërkojnë që kompanitë të sillen me përgjegjësi. Është koha që kompanitë të sigurojnë se hallkat e furnizimit nuk shkaktojnë dëm, dhe se ato mbajnë përgjegjësi për ndikimin e blerjeve të tyre".

Koalicioni i OJQ-ve ka publikuar rekomandimet në një raport të ri të titulluar Zbërthimi i Lidhjeve mes Burimeve Natyrore dhe Konflikteve. Aty thuhet se blloku më i madh tregëtar i botës, BE-ja ka avantazh të rëndësishëm mbi zinxhirin global të furnizimit.

Dhe nuk janë vetëm kompanitë, thotë zonja Pickles por edhe qeveritë që duhet të mbahen përgjegjëse, për të siguruar zbatimin e këtij ligji.

Në Shtetet e Bashkuara, ka një ligj me dispozita për mineralet në zonat e konflikteve. Neni 1502 i ligjit synon të ndalojë rebelët e Republikës Demokratike të Kongos të përdorin fitimet nga tregëtia e paligjshme e mineraleve për të financuar operacionet e tyre. Dispozita u kërkon kompanive të përcaktojnë nëse produktet e tyre vijnë nga zonat e konfliktit. Ligji kërkon që kompanitë të raportojnë për burimet e tyre para një komisioni te posaçëm.
XS
SM
MD
LG