Lidhje

Fushata, BE thirrje që të shmanget dhuna


Në Shqipëri delegacioni i Bashkimit Europian dhe drejtuesit e përfaqësive diplomatike të vendeve anëtare bën thirrje sot për një fushatë zgjedhore të qetë ku të shmangen rastet e dhunës.

Thirrja e tyre vjen një ditë pas incidentit në Fier, ku u sulmua dhe u godit nga tre persona ende të panjohur kandidati i partisë Fryma e Re Demokratike në Roskovec, Mit’hat Hoxha, i cili përfundoi në gjendje të rëndë në spital për shkak të dëmtimeve. Kryetari i Frymës së Re Demokratike, ish presidenti Bamir Topi foli për një “akt të pastër me prapavijë politike” dhe i bëri thirrje Partisë Demokratike që të distancohet nga veprime të tilla, ndërsa familjarët e zotit Hoxha folën për kërcënime që kishin marrë dhe më parë, që ai të tërhiqej nga gara. Autoritet thonë se kanë filluar hetimet.

Në deklaratën e lëshuar sot delegacioni i Bashkimit Europian dhe përfaqësuesit diplomatik të vendeve anëtare nënvizuan se po e ndjekin nga afër procesin zgjedhor dhe se “ndër standardet evropiane dhe ndërkombëtare që presim të zbatohen, një ndër më të rëndësishmit është shmangia e dhunës, në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve që zgjedhjet të zhvillohen në një mjedis të qetë dhe paqësor”, thuhet në deklaratë. Më pas ata i bëjnë thirrje “të gjithë shqiptarëve të sillen sipas këtij standardi” duke shtuar se presin “që partitë politike t’u japin udhëzime të rrepta anëtarëve dhe mbështetësve të tyre në lidhje me këtë".
XS
SM
MD
LG