Lidhje

Sulmet e emigrantëve në BE


Kriza e emigracionit në Evropë ka marrë një kthesë të re pasi u raportua se sulme ndaj grave në qytetin e Këlnit dhe qytete të tjera të Gjermanisë u organizuan nga grupe emigrantësh natën e Vitit të Ri. Autoritetet suedeze nuk kanë komentuar rreth akuzave se mund të kenë fshehur një fenomen të ngjashëm me sulme ndaj grave në Suedi. Ndërkohë që një valë emigrantësh nga Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe pjesë të Azisë vazhdojnë të mbërrijnë në dyert e Evropës, qeveritë po përpiqen të frenojnë ndjenjat kundër emigrantëve në vendet e tyre.

Mijëra demonstrues dolën në rrugët e qytetit Leipzig, në lindje të Gjermanisë, duke bërë thirrje për tolerancë, pas protestave anti-emigracion të organizuara nga LEGIDA, një organizatë e lidhur me grupin e djathtë nacionalist, PEGIDA. Grupimet anti-emigracion kanë protestuar prej kohësh ndaj asaj që e quajnë islamizimi i perëndimit, dhe këto lloj sulmesh ndaj grave natën e Vitit të Ri, e kanë përforcuar kauzën e tyre.

“Këta refugjatë myslimanë kanë filluar një sulm të përgjithshëm terrorist ndaj grave gjermane, ndaj grave të bardha bjonde.”

Turma ksenofobe u fajësuan për sulme ndaj burrave pakistanezë, sirianë dhe afganë mbrëmjen e së dielës në Këln.

Por, shumë gra dolën për të protestuar kundër dhunës.

“Ajo çfarë po bën PEGIDA më zemëron. Të gjithë e dimë që ata nuk merakosen për të drejtat e grave. Ata dalin këtu për të rrahur të huajt. Për ta është propagandë dhe jo luftë kundër seksizmit.”

Ndërkohë, mediat suedeze akuzuan policinë se është munduar të fshehë faktin që shumica e sulmeve gjatë festave janë kryer nga emigrantë. Kreu i policisë u shpreh se akuzat do të hetohen.

“Do t’i shkojmë deri në fund. Nëse ka diçka të vërtetë, duhet korrigjuar dhe do nxirren përgjegjësit.”

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se duhet kufizuar fluksi i pakontrolluar i emigrantëve.

“Duhet të shtojmë përpjekjet kundër shkaqeve që i detyrojnë njerëzit të largohen. Atëherë do të mundemi të kufizojmë numrin e refugjatëve për këtë vit. Është e qartë që kemi edhe detyrën t’i integrojmë. Për këtë flasin të gjithë: cila është mënyra më e mirë për t’i integruar? Që prej ngjarjeve të tmerrshme të asaj nate në Këln, e dimë se për t’i integruar duhet një shoqëri e hapur, por edhe refugjatët duhet të ndjekin rregullat dhe vlerat tona.”

Për disa njerëz që janë rritur në kulturën e kaosit dhe dhunës, kjo mund të jetë pjesa më e vështirë e integrimit.

XS
SM
MD
LG