Lidhje

Tusk: Përjashtimi i Greqisë nuk është zgjidhje


Zyrtari më i lartë i Bashkimit Evropian tha sot se përjashtimi i Greqisë nga zona Shengen nuk do ta zgjidhte krizën e emigrantëve dhe se projekt-marrëveshja që i është ofruar Britanisë nga BE-ja është e drejtë. Zoti Donald Tusk i bëri komentet në një konferencë të përbashkët shtypi në Athinë me Kryeministrin grek Alexis Tsipras.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se përjashtimi i Greqisë nga zona Shengen e udhëtimit pa viza nuk është zgjidhje dhe se projektmarrëveshja për ta mbajtur Britaninë në BE është e drejtë dhe e balancuar:

Dy ditë përpara një takimi të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian, zoti Tusk po përpiqet të grumbullojë mbështetje për një propozim që do ta mbante Britaninë në BE.

"Këtë krizë nuk e shkaktoi Greqia, as Evropa. Të gjithë atyre që flasin për përjashtimin e Greqisë nga Shengeni si zgjidhje për krizën e emigratëve, unë u them: jo, kjo nuk është zgjidhje. Më lejoni ta them qartë, përjashtimi i Greqisë nga Schengeni nuk zgjidh asnjërin prej problemeve tona.”

Zoti Tusk e pranon se kriza e emigracionit është një provë e skajshme për Bashkimin Evropian:

“Ne duhet të përmirësojmë mbrojtjen e kufijve tanë dhe jo vetëm këtu në Greqi. Kjo kërkon më shumë përpjekje nga Greqia por edhe më shumë mbështetje nga partnerët e BE-së,” tha zoti Tusk.

Ai i bëri jehonë pikpamjes së shprehur nga Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila tha se Greqia ka nevojë për ndihmë për mbrojtjen e kufijve të saj. Javën e kaluar, ministrat e BE-së i dhanë Greqisë tre muaj afat për të përmbushur 50 përqind të rekomandimeve për të rregulluar kufijtë e saj. Përndryshe, ata thanë se vendet anëtare të Shengenit mund të vendosin kontrolle mbi kufijtë e brendshëm për një periudhë deri në dy vjet.

Kryeministri i Greqisë, Tsipras tha se çështjet e imigracionit duhet të trajtohen me unitet:

“Disa propozojnë që kjo çështje të zgjidhet duke mbyllur kufijtë, me gardhe në mes të shteteve evropiane. Ne besojmë se kjo do ta çonte Evropën në një rrugë pa krye.”

Po sot, Kryeministri i Britanisë, David Cameron u takua me Presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker për bisedime. Zoti Juncker po bën një përpjekje të fundit për ta mbajtur Britaninë në Bashkimin Evropian.

Britania kërkon reforma në BE, duke përfshirë kufizimin e përfitimeve për emigrantët, si kusht për të qëndruar në bllokun prej 26 vendesh. Udhëheqësit e vendeve të BE-së do të përpiqen të sheshojnë mosmarrëveshjet me Kryeministrin Cameron në një takim të nivelit të lartë të enjten.

XS
SM
MD
LG