Lidhje

BE i jep afatin e fundit Greqisë


Kryeministri grek Aleksis Tsipras e siguroi sot Parlamentin Evropian se ai do të paraqesë propozime për reforma të thella këtë javë për të siguruar një marrëveshje ndihmash financimi që do të mund ta mbante Greqinë në Eurozonë.

Në një sallë të mbushur plot në Strasburg, Kryeministri 40-vjeçar i Greqisë Alexis Tsipras, u prit me brohoritje si nga të majtët e tjerë, ashtu edhe nga deputetë euroskeptikë të së djathtës ekstreme. Ai tha se është i vendosur për të ndrequr vitet e keqqeverisjes si dhe për të ndryshuar gjendjen e pabarazisë në rritje të shkaktuar nga pesë vitet e masave shtrënguese të imponuara nga kreditorët.

"Më lejoni t’ju siguroj se ne do të vazhdojmë përpjekjet për reforma. Le të mos harrojmë se gjatë pesë viteve të kaluara, populli grek ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për t’u përshtatur, por kjo e shterruar energjinë dhe durimin e tij,” tha zoti Tsipras, të cilit udhëheqësit e Eurogrupit i dorëzuan një afat përfundimtar, që deri të dielën ai të bjerë dakord me kushtet për një paketë të re shpëtimi.

"Ne kërkojmë një marrëveshje, por një marrëveshje e cila të na japë shenjën se jemi në rrugën e daljes nga kriza në mënyrë të përhershme. Kjo do të na tregonte se në fund të tunelit ka dritë,” tha zoti Tsipras.

Ai tha se objektivi kryesor i Greqisë duhet të jetë lufta kundër papunësisë dhe inkurajimi i sipërmarrjes.

Kryeministri Tsipras i bëri komentet pas zotit Donald Tusk, ish-kryeministrit polak, i cili tani kryeson takimet e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian.

"Realiteti i zymtë është se na mbeten vetëm katër ditë për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Deri tani nuk kam folur për afate, por duhet ta them me zë të lartë dhe qartë se afati i fundit përfundon këtë javë," tha zoti Tusk.

Pas fjalimit prej 12-minutash të zotit Tsipras, e morën fjalën udhëheqësit e partive në një sallë ku disa euroskeptikë përshëndetën fitoren e Kryeministrit grek në referendum.

Në një shenjë që tregon se sa e vështirë është gjendja, udhëheqësit evropianë kanë filluar të bëjnë përgatitjet në rast se Greqia largohet nga Eurozona. Nëse kjo ndodh, ajo do të ishte vendi i parë që largohet nga blloku i monedhës së përbashkët në historinë e tij 16-vjeçare.

Presidenti i Komisionit Europian Zhan-Klod Junker tha: "Komisioni është i përgatitur për çdo gjë. Ne kemi një skenar të përgatitur në detaje, nëse Greqia largohet.”

Trego komentet

XS
SM
MD
LG