Lidhje

BE, Hezbollahu organizatë terroriste

  • Lisa Bryant

Bashkimi Evropian vendosi krahun ushtarak të Hezbollahut në listën e organizatave terroriste, duke nënvizuar shqetësimin rreth rolit të këtij grupi në luftën në Siri dhe në një sulm me bombë vitin e kaluar në Bullgari. Materiali në vazhdim na njeh me ndikimin që mund të ketë vendimi i BE-së për grupin e fuqishëm militant të shiitëve libanezë.

Vendimi i djeshëm i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian ka për objektiv vetëm krahun ushtarak të Hezbollahut, e cila gjithashtu është partia më e fuqishme politike në Liban. Shefja e BE-së për politikën e jashtme, Catherine Ashton tha se BE-ja do të shqyrtojë këtë vendim çdo gjashtë muaj.

"Kjo nuk e pengon vazhdimin e dialogut me të gjitha partitë politike në Liban. Ne gjithashtu ishim dakord që vendimi të mos përfshijë transferimet e ligjshme financiare në Liban dhe dërgimin e ndihmave nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij."

Vendosja e Hezbollahut në listën e zezë i hap rrugë ngrirjes së pasurive dhe ndalimin e udhëtimeve në Evropë të individëve të kësaj organizate nga vendet anëtare të BE-së. Zonja Ashton tha se kjo dërgon një sinjal të qartë politik se blloku 28-anëtarësh nuk e toleron terrorizmin. Ky vendim është një fitore për Britaninë dhe Holandën, të cilat janë angazhuar për arritjen e këtij qëllim, pas një sulmi terrorist në Bullgari vitin e kaluar në të cilën Hezbollahu ishte i implikuar. Shpërthimi i një bombe në një autobus shkaktoi vrasjen e pesë izraelitëve dhe shoferit të tyre bullgar.

Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha se ky është një mesazh i qartë se BE nuk toleron sulmet terroriste në tokën evropiane.

"Ka kaluar një vit nga sulmi i tmerrshëm me bombë në Bullgari dhe ne mendojmë se është shumë e rëndësishme Evropa jap një përgjigje të vendosur dhe qartë ndaj sulmeve terroriste në tokën evropiane. Ky vendim gjithashtu do ta bëjë më të lehtë përballjen me kërcënimet e mëtejshme terroriste dhe i dërgon një mesazh shumë të qartë Hezbollahut dhe të tjerëve rreth kësaj çështjeje. "
Bashkimi Evropian është i gjithëashtu i shqetësuar nga mbështetja e fortë e Hezbollahut për regjimin sirian të presidentit Bashar al-Asad dhe shtypjen ushtarake të kryengritjes dy-vjeçare në Siri.

Izraeli përshëndeti vendimin e BE-së, por shprehu pakënaqësinë që ai nuk përfshinte edhe krahun politik të Hezbollahut.

Ministrat e jashtëm të BE-së bënë thirrje gjithashtu për lirimin e të burgosurve politikë në Egjipt, përfshirë presidentin e rrëyuar të vendit Muhamed Morsi. Ata bënë thirrje për një proces demokratik gjithëpërfshirës dhe organizim sa më të shpejtë të zgjedhjeve në këtë vend të Afrikës Veriore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG