Lidhje

BE i kërkon Shqipërisë të luftojë më me forcë kriminalitetin


BE i kërkon Shqipërisë të luftojë më me forcë kriminalitetin
BE i kërkon Shqipërisë të luftojë më me forcë kriminalitetin

Bashkimi Europian i kërkoi sot Shqipërisë që të shtojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, dhe ta shohë këtë si një përpjekje të pandalshme në rrugën e zhvillimit. Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Etore Sequi, deklaroi se goditja e kriminalitetit është pjesë e detyrave që Tirana zyrtare duhet të kryejë deri në muajin nëntor për të marrë statusin e kandidatit. Ambasadori Sequi i bëri këto komente në një takim me drejtues të ministrisë së brendshme, ku u njoftua se misioni europian i asistencës policore PAMECA zgjati për herë të tretë mandatin e qëndrimit në Shqipëri për të ndihmuar forcimin dhe reformimin e forcave shqiptare të rendit.

“Së pari”, tha ambasadori Sequi, “ne duam të përmirësohet parandalimi dhe zbulimi në të gjitha nivelet e kriminalitetit. Patrullat policore dhe drejtuesit e tyre në të gjitha nivelet duhen forcuar; po ashtu duhet përmirësuar imazhi publik i tyre. Fitimi i besimit të publikut është po aq i rëndësishëm sa edhe ndëshkimi kriminelëve. Është e rëndësishme që qytetarët të kënë besim dhe të mbështesin policinë”.

“Së dyti”, tha ambasadori Sequi, “ne duam të përmirësohen kapacitetet e punës hetimore së Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive. Kjo detyrë kërkon një bashkëpunim të fuqishëm dhe shkëmbim të shpeshtë informacioni midis agjencive të ndryshme shtetërore, duke përfshirë edhe ato ekonomike si doganat, tatimet dhe hipotekat”.

“Së treti”, tha ambasadori Sequi, “ne kërkojmë që pikat kufitare të zbatojnë më mirë standartet europiane. Në këtë fushë sfidat janë të qarta; nevojiten inspektime të përbashkëta, studime mbi rreziqet nga zyrtarët e emigracionit”.

“Së katërti”, tha ambasadori Sequi, “ne duam që të forcohen më tej aftësitë hetimore të departamentit kundër krimeve të organizuara dhe të rënda, një menaxhim më të mirë të fuqive inteligjente dhe një bashkëpunim më të ngushtë me organet e prokurorisë”.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Sequi, tha se kapaciteti i policisë për të ruajtur rendin dhe zbatimin e ligjit është treguesi kryesor në mirëfunksionimin e shtetit demokratik që u shërben qytetarëve. Projekti PAMECA zgjati edhe një vit misionin e vet në Shqipëri. Në 10 vjetët e fundit fondet në ndihmë të policisë shqiptare kanë shkuar 25 milionë euro, dhe kjo sipas ambasadorit Sequi, është një ndihmë direkte që vendet e Bashkimit Europian i japin Shqipërisë për të arritur standartet dhe cilësinë e punës policore që gëzojnë edhe qytetarët europianë. “Ne kemi besim se Shqipëria do t’i plotësojë këto detyra”, tha ambasadori Sequi, “ ndonëse sfidat janë shumë komplekse, pasi lidhen me policinë dhe drejtësinë, po ashtu edhe me shumë institucione”.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG