Lidhje

BE-ja ngre shifrat e deficitit dhe borxhit të Greqisë

  • Zëri Amerikës

BE-ja ngre shifrat e deficitit dhe borxhit të Greqisë

BE-ja ngre shifrat e deficitit dhe borxhit të Greqisë

Bashkimi Evropian njoftoi se niveli i borxhit të Greqisë si dhe deficiti i këtij vendi vitin e kaluar ishin shumë më të lartë se sa llogaritjet e mëparshme, duke e bërë më të vështirë për Athinën që të arrijë objektivat e caktuara në marrëveshjen e shpëtimit ekonomik. Bashkimi Evropian njoftoi sot shifra të reja, sipas të cilave borxhi i Greqisë për vitin 2009 ishte baras me 15.4 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar dhe jo 13.6 për qind, siç u llogarit në muajin prill. Gjithashtu, BE-ja tha se borxhi i akumuluar i këtij vendi në fund të vitit të kaluar përbënte rreth 127 për qind të GDP-së dhe jo 115 për qind, që ishte llogaritur më parë.

Ministri grek i Financave u takua sot me zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, pak para se Bashkimi Evropian të publikonte statistikat e ndryshuara rreth borxhit dhe deficitit të Greqisë.

Përfaqësues të tre delegacioneve ishin në Athinë për të rishqyrtuar financat e Greqisë, në kuadër të kontrolleve të regullta rreth zbatimit nga Greqia të paketës së ndihmës ekonomike prej 150 miliardë dollarësh, që iu dha këtij vendi në muajin maj për ta shpëtuar nga falimentimi.

Kryeministri George Papandreou këmbënguli javën e kaluar se qeveria e tij do të përmbushte objektivin e uljes së deficitit me të paktën 5.5 për qind deri në fund të vitit.

Por në një intervistë që dha gjatë fundit të javës, ai e pranoi se shifrat e reja do të shtonin presionin për qeverinë e tij për të ulur koston, madje ai tha se Greqia do të kërkojë një afat shtesë për ripagimin e borxheve.
"Ne do të bëjmë një riorganizim të të gjithë sektorit publik në një mënyrë që nuk do të bëhet barë për popullin, por do të kërkojë uljen e humbjeve dhe shtimin e transparencës", tha sot zoti Papandreou.

Greqia është përpjekur të shtojë të ardhurat, ndërkohë që shifrat zyrtare tregojnë se ajo është mbrapa në këtë drejtim, ndonëse ka shënuar përmirësim në shkurtimin e shpenzimeve.
Megjithë këto njoftime negative për Greqinë, kryeministri Papandreou u shpreh sot me optimizëm rreth planeve të qeverisë së tij për ekonominë.

Zoti Papandreou foli për gazetarët në Konferencën Socialiste Ndërkombëtare në Paris pak para se Agjencia e BE-së për statistikat publikoi hollësitë rreth borxhit të Greqisë. I pyetur se sa optimist është nga rezultati i zgjedhjeve:
"U duk qartë se populli kërkon një vazhdim të qëndrueshmërisë në punën tonë për të shpëtuar ekonominë dhe për të reformuar vendin tonë dhe për ta ndryshuar atë për më mirë", tha zoti Papandreou lidhur me rezultatin e zgjedhjeve lokale dje, të cilat i dhanë atij një fitore të mirëpritur, megjithë recesionin dhe papunësinë në ritje.

Partia e tij socialiste në pushtet fitoi garat për kryetar bashkie në Athinë dhe në Selanik, për herë të parë pas 24 vjetësh, ndërkohë që kandidatët socialistë fituan 8 prej 13 garave për guvernatorë rajonalë.

XS
SM
MD
LG