Lidhje

BE-ja shtyn bisedimet mbi ndihmën financiare për Hungarinë


BE-ja shtyn bisedimet mbi ndihmën financiare për Hungarinë
BE-ja shtyn bisedimet mbi ndihmën financiare për Hungarinë

Organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian thotë se ai dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk kanë plane ende për të rifilluar bisedimet me Hungarinë në krizë financiare nga ndihma disa miliarda dollarëshe, mes shqetësimeve se ligjet e reja do të çojnë drejt marrjes së kontrollit të Bankës Qendrore nga qeveria dhe bile edhe të institucioneve të tjera dikur të pavarura.

Njoftimi të martën i Komisionit Evropian erdhi disa orë pasi dhjetra mijëra hungarezë protestuan kundër një kushtetute të re dhe ligjeve të saj, që ata thonë se po përdoren nga qeveria e qendrës së majtë për të vendosur një diktaturë.

Ishte mitingu më i madh që kur kryeministri Viktor Orban erdhi në pushtet në maj të vitit të kaluar. Me thirrjet ‘Orbanistan' dhe 'Diktaturë' protestuesit u mblodhën pranë ndërtesës së Operas Shtetërore në Budapest, ku udhëheqës të lartë të vendit morën pjesë në një mbrëmje gala për të festuar kushtetutën e re.

Kushtetuta hyri në fuqi ditën e Vitit të Ri pa mbështetjen e opozitës, megjithë shqetësimet e Perëndimit se prek disa nga liritë bazë në Hungari. Kushtetuta ndryshon gjithashtu emrin zyrtar të vendit nga Republika e Hungarisë në thjesht Hungari.

Komisioni Evropian e bëri të qartë se delegatët evropianë dhe të Fondit Monetar nuk e kanë vendosur ende në se janë të gatshëm të fillojnë negociatat zyrtare për një rrjet financiar të sigurtë për Hungarinë që arrin shifrën 26 miliardë dollarë.

Muajin e kaluar, zyrtarët e FMN-së dhe të Komisionit u larguan nga bisedimet në Budapest, mes shqetësimeve se legjislacioni i ri do të kërcënojë pavarësinë e Bankës Qendrore të vendit. Megjithë këto tensione, partia Fidesz e kryeministrit Orban përdori shumicën prej dy të tretave për të miratuar ligjin e debatueshëm për Bankën Qendrore.

Projektligji i heq të drejtën presidentit të Bankës Qendrore Andras Simor për të emëruar zëvendësues, zgjeron Këshillin Monetar që vendos normat e interest dhe krijon një pozitë për një zëvendës president të tretë.

Analistët kanë paralajmëruar se kjo mund të çojë në ndërhyrjen e qeverisë ndaj politikave të Bankës Qendrore, që një zëdhënës i Komisionit Evropian thotë se do të shkelte ligjin e BE-së. Në një nga komentet më të ashpra për këtë cështje, zëdhënësi i Komisionit Olivier Bailley tha se delegatët evropianë dhe të FMN-së nuk kanë në plan tani për tani të kthehen në Budapest.

"Për shkak të mungesës së sigurisë të ambjentit ligjor rreth bankës qendrore që është një element shumë i rëndësishëm për të siguruar stabilitetin financiar të vendit, FMN-ja dhe Komisioni Evropian nuk kanë vendosur ende për t’u kthyer në Budapest e për të filluar bisedimet zyrtare për ndihmën financiare."

Komisionerët Evropianë kanë ngritur gjithashtu shqetësime rreth cështjeve të tjera të qeverisë hungareze që nga kërcënimi i pavarësisë së gjyqësorit, ligjit më të kufizuar të medias, e deri tek liria e besimit.

Legjislacioni i debatueshëm kufizon kishat dhe grupet fetare që njihen dhe mbështeten nga shteti nga 300 në vetëm 14, një lëvizje që kritikët thonë se u ngjan politikave të regjimit të mëparshëm komunist në Hungari.

Kryeministri hungarez Orban ka mohuar akuzat se kërkon të krijojë një shtet autoritar. Zoti Orban e sheh kushtetutën e re dhe ligjet e tjera kryesore si mbyllje të periudhës së tranzicionit hungarez nga përmbysja e komunizmit në vitin 1989, tani në demokraci.

XS
SM
MD
LG