Lidhje

BE-ja kërkon përparim në reforma


Në Tiranë, ministrja e jashtme qipriote Erato Kozakou-Marcoullis, vendi i së cilës ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian, tha sot se “Shqipëria duhet të vazhdojë të përparojë me shpejtësi drejt përmbushjes së 12 prioriteteve kyce” që Brukseli ka vendosur në mënyrë që vendi të mund të marrë statusin kandidat tetorin e ardhshëm
Ministrja qipriote zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë në kuadër të një turi diplomatik në disa nga vendet e Ballkanit perëndimor. “Ritmi i zbatimit të 12 prioriteteve është i lidhur drejtpërdrejt me avancimin e mëtejshëm të perspektivës europiane të Shqipërisë. Ka një përmbushje të reformës zgjedhore, një shenjë mjaft premtuese që dëshmon se stabiliteti politik dhe konsensusi kombëtar janë thelbësore në arritjen e këtyre synimeve”, tha ministrja qipriote në përfundim të takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar Edmond Panariti. Zonja Erato Kozakou-Marcoullis, theksoi nevojën e stabilitetit politik dhe bashkëpunimit mes partive. Duke sjellë si shembull eksperiencën e vendit të saj, ministrja e Qipros, saktësoi se “perspektiva europiane duhet të jetë një çështje kombëtare dhe jo një çështje partiake, duhet të jetë mbi çdo parti dhe duhet të shihet si një situatë ku të gjithë dalin të fituar”, tha ajo.
Edhe Komisioni Europian ka kërkuar nga Shqipëria përmbushjen në kohën e mbetur të detyrimeve dhe realizimin e reformave të lëna pezull, në mënyrë që, sic theksoi javën e kaluar edhe ambasadori i delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë Ettore Sequi, vendeve anëtare tu ofrohet një masë kritike arritjesh nga pala shqiptare.
XS
SM
MD
LG