Lidhje

BE forcon bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes


Përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian janë mbledhur sot në Bruksel, për të vendosur ndër të tjera krijimin e një strukture të përbashkët ushtarake. Propozimet për një strukturë të tillë të mbrojtjes së BE-së u rikthyen në qendër të vëmendjes, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe kërcënimit në rritje nga terrorizmi.

Vendet e Bashkimit Evropian takohen sot për krijimin e një komande të përbashkët për misionet ushtarake. Vendimi zyrtarizon kërkesat në rritje për një politikë të përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes të Unionit.

Kjo çështje e ndjeshme politike ishte lënë pritje për vite me radhë, por u rikthye në vëmendje pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014, si dhe prej kërcënimit në rritje nga militantët islamikë.

“Nuk bëhet fjalë për një ushtri evropiane, siç po qarkullon një term. Është një mënyrë më e efektshme për të menaxhuar punën në fushën e mbrojtjes dhe ky është vetëm një ndër hapat që do të marrim në muajt në vazhdim,” tha Shefja e Politikës së Jashtme, Mogherini.

Struktura e re do të drejtojë misionet e tanishme të BE-së, si në Mali, Somali, dhe në Republikën Qendrore Afrikane, dhe në të ardhmen mendohet se do të drejtojë ngritjen e kapaciteteve, monitorimin etj.

“Sot i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian të bashkëpunojë më ngushtë me NATO-n, për të shmangur duplikimin e strukturave dhe për të punuar së bashku përballë rreziqeve të reja, përfshirë forcimin e sigurisë kibernetike,” tha Sekretari britanik i Mbrojtjes.

Britania, e cila është fuqia kryesore ushtarake e Bashkimit Evropian, ka kundërshtuar prej kohësh lëvizjen drejt një “shtabi ushtarak të BE-së”, ide e cila po mbështetet nga Gjermania dhe Franca, pas referendumit britanik për të dalë nga Bashkimi.

XS
SM
MD
LG