Lidhje

Aktivistët kritikojnë propozimet evropiane për klimën

  • Lisa Bryant

Dega ekzekutive e Bashkimit Evropian ka paraqitur atë që e cilësoi si një plan të ri ambicioz për politikat energjetike dhe në përgjigje të ndryshimeve klimatike të organizatës me 28 anëtarë. Propozimi i BE që paraqitet një vit para një konference të rëndësishme të OKB-së për klimën, gjykohet nga kritikët si i pamjaftueshëm.

Reduktimi i masës së gazeve ndotëse që shkaktojnë efektin serrë, rritja e efikasitetit në përdorimin e energjisë dhe përdorimi në masë më të madhe i energjisë së gjelbër brenda vitit 2030, janë ndër propozimet e politikës së re të Komisionit Evropian që duken të arsyeshme si nga pikëpamja e konkurrencës në biznes, ashtu edhe për përmirësimin e mjedisit. Kështu shprehet Presidenti i Komisionit Jose Manuel Barroso kur i prezantoi reformat:

"Një strategji ambicioze dhe e zgjuar për 2030 do të rriste rolin e Evropës në veprimet globale kundër ndryshimeve klimatike, por edhe do të ulte vartësinë e kushtueshme mbi naftën dhe gazin e importuar, do të rriste teknologjinë e gjelbër dhe sektorin e rritjes së qëndrueshme, duke ofruar perspektiva afat-gjata për investimet e kompanive evropiane”.

Strategjia propozon reduktime të detyrueshme ligjore prej 40 për qind të gazeve të dëmshme deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 1990. Po ashtu burimet e ripërtëritshme energjetike duhet të përfaqësojnë 27 për qind të burimeve energjetike deri në vitin 2030. Propozimi synon gjithashtu ta bëjë prodhimin e energjisë më efiçent dhe të fuqizojë tregun e shkëmbimeve të gazeve karbonike brenda Bashkimit Evropian – tregu më i madh për këto shkëmbime aktualisht në botë.

Zoti Barroso thotë se Evropa synon t’i japë tonin debatit para konferencës së vitit 2015 të OKB-së mbi ndryshimet klimatike.

"Dalja me këtë propozim, debati i Këshillit Evropian në mars, do të na japin mundësi të ruajmë rolin udhëheqës dhe t’i japim formë veprimeve globale për klimën”.

Evropa ka aktualisht disa nga politikat më të forta në botë për të penguar ndryshimet klimatike. Por grupe ambjentaliste si Greenpeace thonë se këto propozime të reja nuk janë ambicioze sa duhet. Për shembull drejtori i Greenpeace për politikat e BE-së, Joris den Blanken, thotë se Evropa duhet të reduktojë çlirimin e gazeve deri në masën 55 për qind brenda vitit 2030.

"Propozimi për reduktime në masën 40 për qind nuk është i mjaftueshëm për të mbajtur ngrohjen globale në nivele të padëmshme. Po ashtu ky propozim tregon se BE-ja po bën hapa prapa në drejtim të energjisë së pastër. Gjatë 15 vjetëve të fundit janë hapur plot vende pune me investime për energjinë e pastër. Këto politika i shërbyen edhe interesave evropiane për siguri energjetike. Por në këtë propozim, angazhimi i vakët do të shkaktojë pasiguri tek investitorët në këtë sektor dhe do ta vërë në rrezik energjinë e pastër në Evropë”.

Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike mund të sjellin ndikime të mëdha, përfshirë ngritjen e nivelit të detit, shtrirjen e hapësirave shkretinore në zona të reja të globit dhe fronte të paqëndrueshme moti. Një dokument i Komisionit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike pranë OKB-së thotë se vonesat në luftën kundër ndryshimeve klimatike kanë krijuar një situatë kritike që do të keqësohet më tej me kalimin e viteve.
XS
SM
MD
LG