Lidhje

BE ndalon importet e mallrave nga Krimeja


Sekretari i Jashtëm Britanik, William Hague paralajmëroi Rusinë se Bashkimi Evropian është i gatshëm t'i vërë asaj sanksione të reja për krizën në Ukrainë nëse është e nevojshme. Zoti Hague i bëri komentet sot në Luksemburg ku ministrat e jashtëm evropianë u mblodhën për të diskutuar mbi Irakun, Sirinë dhe Ukrainën. Ministrat miratuan sot rregulla të reja që ndalojnë importin në BE të mallrave me origjinë nga Krimeja.

Sekretari i Jashtëm Britanik, William Hague tha se 28 shtetet anëtare të bllokut do të duan të shohin se si do t'i përgjigjet Moska planit të paqes të Ukrainës dhe një armëpushimi të njëanshëm, përpara se të marrin ndonjë vendim.

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen këtë javë në Bruksel dhe mund të marrin vendime për sanksione.

"Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim as presidenti Putin nuk duhet të ketë asnjë dyshim se ne në Bashkimin Evropian jemi të gatshëm për të marrë ato masa. Është bërë shumë punë ka për përgatitjen e sanksioneve më të gjera ndaj Rusisë. Ne kemi zbatuar tashmë, siç e dini, një seri masash të forta, por jemi të gatshëm të shtojmë të tjera nëse është e nevojshme. Askush në Moskë nuk duhet të ketë dyshim për këtë," tha zoti Hague.

BE-ja ka vendosur tashmë disa herë sanksione ndaj Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë, por ajo u është shmangur masave të rëndësishme ekonomike, pasi disa vende anëtare nuk duan të armiqësohen me një furnizuese të madhe të energjisë, siç është Rusia.

Kryesuesja e takimit të Luksemburgut, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, tha se sanksionet do të jenë në rendin e ditës këtë javë, por ajo nuk tha nëse mbështeste ndonjë masë të re.

Në takim mori pjesë edhe Ministri i jashtëm i Ukrainës, Pavlo Klimkin.
Si pjesë e kundërpërgjigjes së tyre ndaj veprimeve ruse, ministrat e jashtëm të BE-së miratuan sot rregulla të reja që ndalojnë importin në BE të mallrave me origjinë nga Krimeja.

Në përgatitje për takimin e së premtes në Bruksel, ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier njoftoi se do të shkojë në Kiev dhe do të takohet me Presidentin Petro Poroshenko nesër.

Zoti Poroshenko synon të marrë mbështetjen pa kushte të presidentit rus Vladimir Putin për një plan paqeje që ai njoftoi të premten.

Në plan përfshihet nënshkrimi më 27 qershor i një marrëveshjeje asocimi me BE-në, si dhe një seri bisedimesh me separatistët.

Në një deklaratë, ministrat shprehën përkrahjen e tyre ndaj planit, si mundësi për çtensionimin e gjendjes dhe i bënë thirrje Rusisë të ndalë kalimin e luftëtarëve dhe armatimeve në kufirin me Ukrainën.
XS
SM
MD
LG