Lidhje

BE nis projektin 1,5 milionë euro në parlamentin shqiptar


BE nis projektin 1,5 milionë euro në parlamentin shqiptar
BE nis projektin 1,5 milionë euro në parlamentin shqiptar

Parlamenti shqiptar nisi sot një projekt 1,5 milionë euro për rritjen e standarteve demokratike, në bashkëpunim me parlamentin e Francës dhe atë të Hungarisë. Projekti europian po e përgatit Shqipërinë si edhe vendet e tjera që aspirojnë të jenë kandidate për anëtare të BE. Më shumë se 90 ekspertë nga parlamenti francez, hungarez, dhe antarë të tjerë të BE-së do të ndihmojnë parlamentin shqiptar që të forcojë kapacitetet ligjvënëse, administrative, mbikëqyrëse, transparente, financiare sipas ligjeve dhe modeleve më të mira europiane.

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi, thotë se ëndrra e shqiptarëve për t’u integruar në institucionet demokratike perëndimore bazohen tek identiteti evropian i tyre. “Ëndrra për Europën, që në thelb është ëndrra për demokraci, drejtësi dhe zhvillim, i udhëhoqi shqiptarët gjatë historisë dhe në protestat e vitit 1990 kundër regjimit komuist ata mbanin fort parrullën se e donin vendin e tyre si e gjithë Europa. Kjo është edhe ambicja e partive shqiptare. Këtë e tregon edhe numri i madh i studentëve dhe udhëtarëve shqiptarë në Europë. Vit pas viti në sondazhe shqiptarët votojnë pro anëtarësimit në BE. Kjo mbështetje kaq e lartë, kjo ëndërr kaq e fortë e meriton t’i jepet përparësi nga institucionet shqiptare” - tha ai.

Ambasadori Sequi tha se deputetët duhet të zgjedhin diskutimet bashkuese dhe jo ato ndarëse, demokracinë europiane dhe jo premtimet e pambajtura. “Europianët i ndihmojnë, por nuk i zëvendësojnë ata. Parlamenti mbledh përfaqësuesit e Shqipërisë që janë mandatuar për të ndjekur ëndrrat, dëshirat dhe aspirata të popullit, ku përfshihet edhe antërësimi në BE. Nga fundi i vitit ata dhanë një shembull shumë të mirë të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, gjë që duhet të vazhdojë” - tha ai.

Kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, tha në ceremoninë ku morën pjesë senatorë francezë, deputetët hungarerë dhe diplomatë perëndimorë se “ky është një projekt i rëndësishëm që vjen në 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar dhe në rrugën drejt anëtarësimit në BE”.

Parlamenti shqiptar është përfshirë shpesh nga kriza dhe bojkote, ndërsa shumë projekte bashkëpunimi janë vënë shpesh në pikëpyetje për shkak të acarrimeve politike mes partive pjesëmarrëse. Parlamenti po përpiqet tani që të rritë transparencën dhe komunikimin me publikun, krahas miratimit të disa ligjeve dhe reformave sipas kritereve europiane.

XS
SM
MD
LG