Lidhje

Parlamenti nuk voton reformat e kërkuara nga BE


Shqipëri, sërish debate mes shumicës dhe opozitës. Ruci “qeveria po kërkon alibi për mospërmbushjen e detyrimeve karshi Brukselit”. Berisha “I gatshëm të thërras parlamentin në çdo kohë për miratimin e reformave”

Në Tiranë parlamenti nuk votoi as sot reformat e kërkuara nga Komisioni europian në mënyrë që të mund t’i rekomandojë vendeve anëtare dhënien e Statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Shumica dhe opozita u përfshinë sërish ne debate me të njejtat argumenta të përdorura ditët e fundit. Ecuria e Shqipërisë në procesin e integrimit ka qenë pjesë e debateve në komisionin e jashtëm të parlamentit europian ku është diskutuar edhe teksti i një rezolute. Europarlamentarët mbështesin pozicionin e Komisionit por nuk kanë fshehur skepticizmin ndaj zhvillimeve në Tiranë dhe progresit drejt BE



Përplasjet e ditëve të fundit mes shumicës dhe opozitës me shkëmbime replikash në distancë, u transferuan sot në sallën e parlamentit ku në rend të ditës ishin përfshirë ligji për Gjykatën e Lartë ai për nëpunësin civil dhe reforma parlamentare, të mbetura pezull për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve. Sërish cështja e qarkut të Fierit, e kthyer në një mollë sherri, zuri një pjesë të mirë të fjalës si të kryeministrit Sali Berisha ashtu dhe të kryetarit të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci.

Për kryeministrin socialistët po e përdorin këtë cështje si një pretekst duke ripërsëritur se organizimi i mocioneve të mosbesimit për këshilltarët do të ishte oferta më mirë për një zgjidhje politike. Por zoti Ruci u shpreh se një ofertë e tillë ishte e papranueshme pasi gjykatat e kishin rrëzuar një kërkesë të tillë të bërë nga këshilltarët e djathtë: "Për këtë ofertë politikë, kanë bërë ankesë këshilltarët e tu në gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën e Lartë. Cfarë po të kërkojmë ne sot zoti kryeministër, as më shumë e as më pak se të zbatosh vendimet e Gjykatës së lartë se nuk ka asnjë vlerë asnjë ndryshim që mund të bëjmë në ligjin e Gjykatës së Lartë, kur ne parlamentarët, ju në radhë të parë, nuk njohim vendimet e gjykatave”.

Kryeministri Berisha ritheksoi dhe një herë se ligjet që duhen miratuar kanë të bëjnë me të ardhmen europiane të vendit: “Këto ligje krahas rëndësisë që kanë me thelbin e tyre, për fushën ku ato veprojnë, marrin një rëndësi universale , të jashtëzakonshme, një rëndësi e cila ka të bëjë me projektin, me ëndrrën e cdo qytetari shqiptar”

Por zoti Ruci akuzoi qeverinë se është ajo që nuk ka përmbushur detyrimet karshi Brukselit e se për këtë arsye po kërkon të gjejë alibi due fajësuar opozitën: "Ti je në hall se nuk ke c’i thua Brukselit për mos përmbushjen e 8 rekomandimeve në dy progress raportet. Dhe problemet e vërteta të Shqipërisë janë zgjedhjet e lira, lufta kundër krimit, lufta kundër korrupsionit dhe ju nuk i keni bërë, nuk jeni ë gjendje t’i plotësoni dhe tani që këmbanat e qeverive të shteteve të Be kanë filluar të bien seriozisht për propozimin e Komisionit, ju kërkoni alibinë. Alibinë doni ta gjeni te opozita dhe te Edi Rama”.

Palët edhe një herë dëshmuan se janë qartazi të ndara dhe se nuk ka asnjë shenjë për një kompromis të mundshëm. Megjithatë kryeministri tha se shumica ishte e gatshme të mbledhë parlamentin në cdo moment për miratimin e lijeve të kërkuara: "Propozimi im i fundit është ky. Nëse dëshironi nga sot deri më datën 20, në cdo kohë, 24 orë mbi 24 orë, si kryeministër jam i gatshëm të shfrytëzoj atributin tim kushtetues për të thirrur parlamentin për t’i votuar ato ligje. Doni të shtunën në mesnatë, të dielën në mesnatë, doni të hënë, deri me datë 19.”

Brenda datës 20 komisioni europian do të duhet ti përcjellë vendeve anëtare rekomandimin për Shqipërinë i cili në rast të miratimit të tre reformave do të ishte në favor të Statusit kandidat pa asnjë kushtëzim.

Procesi i integrimit të Shqipërisë ishte sot pjesë e debateve dhe në komisionin e Jashtëm të parlamentit europian. Ky komision pritet të miratojë javën e ardhshme një rezolutë për Shqipërinë ku mbështetet propozimi i komisionit per Statusin. Por gjatë debateve nuk u fsheh skepticizmi ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe perparimit te vendit drejt Be, ku u ngritën shqetësime si lidhur me mosmiratimin e ligjeve të kërkuara nga Brukseli ashtu dhe me zgjedhjet e ardhshme apo cështjet që lidhen me korrupsionin dhe me gjyqësorin. Zoti Eduard Kukan, kryetar i delegacionit të PE për Ballkanin, propozoi dy amendamente që lidhen me kompensimin e ish të burgosurve politike dhe me hetimet për 21 janarin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG