Lidhje

BE-Shqipëri: Statusi i arritshëm në dhjetor


Kryeministri Rama takime në Bruksel. Barroso: Nevojiten përpjekje kundër krimit e korrupsionit, bashkëpunimi me opozitën i rëndësishëm

Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso tha sot se marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin europian nga Shqipëria është e arritshme brenda këtij viti, por vendi duhet të bëjë hapa përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto komente ai i bëri në përfundim të takimit me kryeministrin Edi Rama i cili ndodhet prej ditës së djeshme në Bruksel ku ka zhvilluar takime me përfaqësuesit kryesore të institucioneve europiane. Nga ana e tij zoti Rama tha se qeveria e tij është e përkushtuar që të arrijë sa më shpejt marrjen e statusit por edhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim.


Pas takimeve të djeshme në parlamentin europian, kryeministri Edi Rama e nisi sot ditën e dytë të vizitës së tij në Bruksel në selinë e Natos ku u takua me sekretarin e përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen. Në deklaratën e përbashkët pas takimit, sekretari i përgjithshëm i Natos, vlerësoi kontributin që Shqipëria jep në misionet ushtarake por dhe për sigurinë në rajonin e Ballkanit. Ndërsa kryeministri Rama theksoi se Shqipëria do të vazhojë të përmbushë të gjtha detyrimet që i takojnë si anëtare e kësaj organizate.

Nga selia e Natos, zoti Rama vazhdoi serinë e takimeve në Komisionin europian, të cilat nisën me presidentin Jose Manuel Barroso. Shqipëria shënoi vonesa të shumta në procesin e integrimit vitet e fundit për shkak të problemeve të brendhme politike. Ajo shpreson të marrë më së fundi në dhjetor statusin e vendit kandidat

“Shqipëria mund të arrijë marrjen e statusit kandidat brenda këtij viti në parim. Por nevojiten ende disa përpjekje. Në raportin tonë të progresit në tetor ne do të raportojmë për progresin e arritur nga Shqipëria. Ne do të mbajmë parasysh veprimet e tjera të marra nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë hetime proaktive. Inkurajova Qeverinë që të përpiqet fort në këtë drejtim sepse vendet anëtare janë duke e vëzhguar. Nuk kemi kohë për të humbur. Javët e ardhshme janë kritike, nëse doni që të arrini këtë objektiv të marrjes së statusit që këtë vit", tha presidenti i Komisionit, Barroso

Nga ana e tij zoti Rama tha se objektivi është i arritshëm dhe se besonte se Shqipëria do t’ja dilte: “Ne gjithashtu besojmë se duhet të punojmë fort për bjektivin e hapjes së bisedimeve, si momenti I vërtetë ku vendi do të jetë në një nivel të ri detyrimesh por edhe mundësish. Ne do të bëjmë më të mirën dhe kemi besimin se me mbështetjen e Komisionit, të qytetarëve dhe besoj shumë dhe me mbështetjen e opozitës, do të kemi lajme të mira për vendin tonë nga Brukseli”.

Presidenti i Komisionit Europian Barroso theksoi nevojën që procesi i integrimit të përfshinte edhe opozitën e mbarë shoqërinë shqiptare:“Integrimi në Bashkimin europian duhet të jetë një përpjekje e vërtetë kombëtare, një projekt gjithëpërfshirës. BE nuk është për këtë apo atë parti. Eshtë shumë i rëndësishëm për besueshmërinë e të gjithë procesit një konsensus i gjerë, si një proces kombëtar, sepse nuk është një procesi tradicional diplomatik negociatash, por është një proces transformues që ka nevojë jo vetë për përfshirjen e qeverisë, por edhe të institucioneve, partnerëve shoqëror dhe të të gjithë shoqërisë”

Zoti Rama tha se binte dakort me vlerësimet e zotit Barroso: “Ta ndryshosh për mirë vendin, jam plotësisht dakort me ju, do të thotë të transformosh Parlamentin, nga një platformë përjashtimi që ishte, në një platformë gjithëpërfshirëse, të transformosh procesin e integrimit në një proces reformash por dhe zbatimi, dhe të transformosh jetën e shqiptarëve gjatë kësaj periudhe në shpresë dhe në ambicie që janë të dukshme dhe të prekshme".

Edhe komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle theksoi se një bashkëpunim konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës do të jetë thelbësor në sfidat që Shqipëria duhet të përballojë në rrugën drejt Bashkimit europian.

Nga Tirana kryetari i demokratëve në opozitë Lulzim Basha theksoi se Brukseli kishte dhënë mesazhe të qarta per kryeministrin: “Shqiptarët nuk harrojnë se Edi Rama bllokoi integrimin e vendit si opozitar. Me veprimet konfliktuale dhe përçarëse që po kryen ai po rrezikon të bllokojë përsëri, kësaj radhe si qeveritar kundër opozitës së vendit. Uroj që nga Brukseli të kthehet me mend në kokë dhe këmbë në tokë e të heq dorë nga konfliktualiteti dhe fryma përccarëse e urrejtjes ndaj opozitës".

Zoti Basha theksoi se opozita e re nuk do të jetë në asnjë moment pengesa dhe problemi i integrimit të vendit në BE.
XS
SM
MD
LG