Lidhje

BE pezullon bisedimet për vizat me Rusinë

  • Henry Ridgewell

Bashkimi Evropian po pezullon bisedimet për çështjen e vizave me Moskën në përgjigje të reagimit rus në Ukrainë. BE gjithashtu e ka cilësuar si “të paligjshme” votën në parlamentin e Krimesë për shkëputje nga Ukraina dhe bashkim me Rusinë.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar krizën në Ukrainë si sfidën më serioze të sigurisë që nga luftrat ballkanike të 1990.

Pas takimit të krerëve të shteteve dje, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Ukrainës, Presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy dha përgjigjen e bllokut evropian:

“Pezullojmë bisedimet dypalëshe me Federatën Ruse për çështjen e vizave si dhe bisedimet mbi Marrëveshjen e Re. Mbështesim vendimin e vendeve evropiane të Grupit të Tetëshes dhe institucioneve të BE për të pezulluar pjesëmarrjen në takimin e G8 në pritje të zhvillimeve të tjera”.

Zoti Van Romuy kërkoi që Rusia të angazhohet në bisedime me Ukrainën dhe të respektojë sovranitetin e Ukrainës në Krime, ose të ndeshet me ngrirje zotërimesh dhe ndalimin e privilegjeve të udhëtimit. Rusia mohon që grupet e armatosura që janë shfaqur në Krime janë pjesë e forcave të saj të armatosura:

“Pjesa më e madhe e popullit të Ukrainës mori vendimin pro vlerave evropiane. Ishte një zgjedhje e civilizuar. Evropa duhet dhe do t’i mbështesë në rrugëtimin e guximshëm që kanë zgjedhur”.

Evropa është rezervuar për momentin në vendosjen e sanksioneve ekonomike. Presidenti Putin shpreson se Evropa është e përçarë në këtë temë, thotë Elizabeth Stephens, shefe e analizave të rrezikut në firmën e sigurimeve Jardine Lloyd Thompson:

“Gjermanët kanë lidhjet më të forta tregtare. Angela Merkel është më e rezervuara në vendosjen e sanksioneve. Kryeministri britanik David Cameron shqetësohet se Londra mund të dëmtohet nëse oligarkët rusë preken nga sanksionet. Sfida më e madhe është që Evropa të flasë me një zë”.

Londra është një destinacion i preferuar i shtresës më të pasur ruse. Rreth 32 mijë rusë llogaritet se jetojnë në kryeqytetin britanik.

Shkëmbimet tregtare të Gjermanisë me Rusinë arritën në 103 miliardë dollarë vjet. Gjigandë ekonomikë si Volkswageni kanë investuar ndjeshëm në Rusi.
Por Kancelarja Merkel ritheksoi paralajmërimet se Moska do të ballafaqohet me pasoja:

Ajo thotë se Gjermania dëshiron të vazhdojë marrëdhëniet me Rusinë, që janë në interes të të dyja vendeve. Por ajo shtoi se zhvillimet në Ukrainë, në veçanti ngjarjet në Krime, meritojnë një përgjigje.

Nëse kriza përkeqësohet, sanksionet evropiane mund të jenë të rënda, thotë Elizabeth Stephens:

“Pasuria në Rusi është e përqëndruar në duart e 110 miliarderëve të cilët zotërojnë 35% të burimeve ekonomike të vendit. Këta do të ishin objektivi kryesor dhe ata ushtrojnë presion mbi Putinin”.

Për momentin, BE vazhdon kërcënimet pa zbatuar sanksione. Evropa dhe bota presin përgjigjen e Presidentit Putin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG