Lidhje

Ambasadori i BE: Ja ç’duhet për të marrë statusin


Në Tiranë, ambasadori Ettore Sequi analizoi nivelin e përmbushjes nga ana e Shqipërisë të 12 objektiva të përcaktuara nga Brukseli. “Vendeve anëtare u duhet ofruar një masë kritike rezultatesh”

Në Shqipëri ambasadori i delegacionit të Bashkimit europian Ettore Sequi bëri sot një analizë të përmbushjes nga ana e Shqipërisë të 12 prioriteteve të përcaktuara nga Brukseli në mënyrë që vendi të marrë statusin kandidat në tetor. Ndërsa vlerësoi arrijet ai vecoi fushat ku duhet bërë ende përparim. Bashkimi euriopian dhe vendet anëtare presin të shohin një masë kritike arritjesh tha si, ndërsa i mëshoi disa herë nevojës për konsensus që vendi të ecë përpara.

A do të mund të marrë Shqipëria statusin e vendit kandidat tetorin e ardhshëm? Kjo pyetje vështirë se merr përgjigje nga debatet politike të cilat janë fokusuar më së shumti të tregojnë që tani, te njëri tjetri, përgjegjësin e një dështimi të mundshëm. Më syrin e përfaqësuesit të Bashkimit europian në Shqipëri, për ambasadorin Ettore Sequi gjërat janë të qarta.

Duke i ndarë sipas kapitujve,ai foli për arritjet dhe cështjet e mbetura ende pezull. Përsa i përket prioriteteve që lidhen me kriteret politike, ambasadori Sequi vlerësoi reformën zgjedhore, zgjedhjen e avokatit të popullit, apo dhe ligjet e tjera të kaluara me shumicë të cilësuar duke kujtuar se ende nuk ka përfunduar reforma parlamentare. Në grupin e prioriteteve që lidhen me administratën publike, ai vlerësoi ligjin për Gjykatën administrative por tha se të paktën dhe tre ligje të tjera duhen të marrin votën e parlamentit.

Po ashtu në grupin e prioriteteve që lidhen me shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit, ai vlerësoi ligjet e kaluara në parlament, duke vënë theksin te rëndësia e heqja apo kufizimi i imuniteteve, që ka mbetur pezull pavarësisht se palët kanë rënë dakort për një tekst të përbashkët. Sipas ambasadorit Sequi, “Brukseli dhe shtetet anëtare i kushtojnë shumë rëndësi” duke bërë thirrje që të miratohet në kohë. Po ashtu ai tha se në luftën ndaj korrupsionit nevojitet një bilanc konkret hetimesh, gjykimesh dhe dënimesh e po të njejtën gjë kërkoi edhe për luftën ndaj krimit të organizuar.

“Dhënia apo arritja e rezultateve të prekshme janë gjërat që publiku shqiptar dhe partnerët europian presin. Lejomeni të inkurajoj palët që të vazhdohet puna që ka mbetur për t’u bërë. Vendet anëtare të Be do të vendosin në fund për hapat e mëtejshëm të integrimit europian, dhe prandaj është e rëndësishme që Shqipëria duhet të japë argumenta solide dhe të besueshme shteve anëtare të BE”, shpjegoi ambasadori i Bashkimit europian.

Sipas tij, palët duhet të dëshmojnë vendosmëri për të përmbyllur të gjitha cështjet “Statusi kandidat mund të arrihet por për këtë duhet të vendosmëri dhe këmbëngulje e fortë. Do të thotë që një masë kritike arritjesh duhet ti ofrohet shteteve të Be. Koha është një burim i kufizuar”.

Ambasadori Sequi i mëshoi disa herë nevojës për konsensus dhe si për ta përforcuar rëndësinë e këtij elementi, duke huazuar fjalinë e parë të himnit kombëtar shqiptar, thirrja e tij ishte “Drejt Bashkimit europian të përbashkuar”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG