Lidhje

E ardhmja e Bashkimit Evropian


Në vetëm pak muaj, themelet e Bashkimit Evropian u tronditën nga dy kriza paralele: kaosi politik i shkaktuar prej telasheve ekonomike të Greqisë, dhe fluksi i qindra mijëra emigrantëve dhe refugjatëve. Disa analistë thonë se BE-së po i kërcënohet tashmë vetë ekzistenca.

Në muajin korrik, trazira ekonomike dhe politike në Greqi arriti kulmin kur votuesit refuzuan me referendum kushtet e shpëtimit financiar të ofruar nga BE-ja.

Nën presionin e Brukselit, Kryeministri Alexis Tsipras e sfidoi rezultatin dhe nënshkroi marrëveshjen. Kjo dëmtoi edhe më shumë besimin tek Bashkimi Evropian, thotë historiani Andrea Mammone.

“Politikanë dhe ministra nga vende të tjera që të thonë duhet të votosh kështu, apo ashtu. Atëherë ku është legjitimiteti demokratik në gjithë këtë histori?”

Në javët në vazhdim, valë prej qindra mijëra emigrantësh mbërritën në brigjet e Evropës dhe numrat vazhdojnë të rriten. Evropa u akuzua për indiferencë ndaj vuajtjeve të refugjatëve.

Zoti Mammone thotë se ka dalë në pah mungesa e solidaritetit evropian.

“Një çarje ndërmjet vendeve anëtare, popullsisë dhe të personave të huaj - që mund të ishin popujt e tjerë evropianë, dhe në veçanti emigrantët e ardhur nga vende të tjera të botës.”

Përgjigja nuk mund të gjendet me shpërbërjen e Bashkimit Evropian, thotë Christian Odendahl, i Qendrës për Reformimin Evropian.

“Kriza e refugjatëve kërkon një përgjigje të përbashkët evropiane, dhe nuk është për fajin e BE-së. Duke qenë se p.sh. vendet anëtare nuk janë në gjendje t’i përgjigjen krizës ekonomike, atëherë nevojitet më shumë integrim.”

Marrëveshja Shengen u nënshkrua në vitin 1985 duke krijuar një zonë udhëtimi të lirë pa pasaporta, që u shtri më vonë në pothuajse në të gjithë BE-në.

Por, parimi themelor i lëvizjes së lirë po testohet, ndërkohë që shumë vende po rikthejnë masat e kontrollit kufitar. Hungaria ka ndërtuar një gardh me tela me gjemba përgjatë kufirit të saj jugor.

“Marrëveshja Shengen ishte një nga arritjet e mëdha të Bashkimit Evropian, ideja e lëvizjes së lirë dhe e kufijve të hapur. Të shikosh ngritjen e këtyre gardheve shkakton një shok të vërtetë.”

Në horizont janë shfaqur edhe kërcënime të tjera. Britania do të zhvillojë një referendum përpara vitit 2018 për largimin nga BE-ja, ndërkohë që sondazhet e deritanishme janë pro largimit. Analistët thonë se një rezultat i tillë do të ishte fatal për Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG