Lidhje

BE, Shqipëria drejt marrjes së Statusit


Komisioni europian pritet t’i rekomandojë sot vendeve anëtare që Shqipërisë t’i jepet Statusi i vendit kandidat, ndërkohë që nisja e bisedimeve për anëtarësim pritet të kushtezohet me arritjen e disa përparësive të tjera kyce. Burime diplomatike në Bruksel thanë për Zërin e Amerikës se ky rekomandim vjen pas vlerësimeve pozitive në raport progresin e hartuar për Shqipërinë i cili do të bëhet publik gjatë ditës së sotme.

Pas katër vitesh, që kur në 2009 paraqiti zyrtarisht kërkesën për anëtarësim, dhe pas tre dështimeve radhazi, Shqipëria duket këtë herë se do të marrë Statusin e vendit kandidat. Komisioni europian e rekomandoi edhe vitin e kaluar duke e kushtëzuar megjithatë me përmbushjen e tre reformave, atë të parlamentit, ligjin për Gykatën e Lartë dhe atë për Shërbimin Civil. Por sërish mosmarrëveshjet politike e bën të pamundur që vendet anëtare, dhjetorin e kaluar të jepnin dritën jeshile. Këto tre reforma u miratuan në fund të majit të kaluar, ndërkohë që klima pozitive në të cilën u mbajtën zgjedhjet e 23 qershorit dhe tranzicioni i butë i pushteteve janë pikë plus për të.

Burime diplomatike nga Brukseli shpjeguan për Zërin e Amerikës se Komisioni pritet t’i rekomandojë vendeve anëtare që Shqipërisë t’i jepet Statusi pa kushtëzime të mëtejshme, përvec nevojës që të vazhdojnë përpjekjet në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë që Shqipëria do të duhet të përmbushë përparësi të tjera kyce në mënyrë që të vendoset për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Ky rekomandim i pritshëm i komisionit mbështetet në vlerësimin pozitiv që sipas burimeve, i është bërë ecurisë së Shqipërisë në raportin e progresit që do të paraqitet sot nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fuele. Raporti vlerëson përparimin e vendit në përmbushjen e angazhimeve të veta ndaj Brukselit, vecanërisht në ato fusha që cilësohen thelbësore për dhënien e statusit.

Njoftimet e para për një raport pozitiv ndaj Shqipërisë i dha në Tiranë javën e shkuar ministrja e jashtme italiane, Emma Bonino, vendi i së cilës është angazhuar hapur në favor të hapave përpara të Shqiperise në marrëdhëniet me Brukselin. Sidoqoftë fjala e fundit i takon vendeve anëtare në dhjetor. Shtete si Gjermania, Britania apo dhe disa prej atyre nordike shohin me skepticizëm avancimin e zgjerimit në këtë fazë. Megjithë burime diplomatike i shpjeguan Zërit të Amerikës se përballë një raporti pozitiv, është e vështirë që Këshilli i ministrave të mbajë një qëndrim të kundërt me komisionin.

Në një deklaratë të djeshme, duke i pararirë publikimit të raporteve të progresit për vendet që janë në proces anëtarësimi, komisioneri për Zgjerimin Stefan Fuele thekson se një ndër pikat ku përqëndrohen raportet do të jetë mbi faktin se “zgjerimi vazhdon pavarësisht krizës financiare, por vazhdon jo pse është me autopilot, por sepse është një politikë e besueshme, një politikë që shoqëron një politikë tjetër të rëndësishme të Bashkimit Evropian – thellimin e integrimit”.

Per Shqiperine, ajo që mbetet për të parë është se kur do të ketë një vlerësim për datën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, që përbën edhe hapin më domethënës në raportet e saj me Bashkimin europian. Një moment për të cilin do të duhet të vendosin vendet anëtare, por që mund të afrohet në kohë, nëse Shqipëria nga ana e saj nuk do të përsërisë gabimet e së kaluarës dhe do të zgjedhë të ecë me vendosmëri drejt përmbushjes së kritereve që do t’i përcaktohen për këtë qëllim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG