Lidhje

BE thotë se dialogu Kosovë-Serbi shënoi një fillim pozitiv


BE thotë se dialogu Kosovë-Serbi shënoi një fillim pozitiv

BE thotë se dialogu Kosovë-Serbi shënoi një fillim pozitiv

Bashkimi Evropian e cilësoi një fillim pozitiv të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, takimin dyditësh të delegacioneve të të dyja palëve në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në një deklaratë të BE-së, u bëhet thirrje të dyja palëve që të lënë anash çështjet e sovranitetit dhe të përqendrohen në përpjekjet për të mënjanuar pengesat që kanë ndikim në jetën e përditshme të njerëzve, të përmirësojnë bashkëpunimin dhe të përparojnë në rrugën evropiane.

Bisedimet e para ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, përfunduan mbrëmë në një frymë që të dyja palët e cilësuan konstruktive. Lëvizja e lirë, dokumentet kadastrale, çështjet e doganave, hapësirës ajrore dhe të marrëveshjeve rajonale, ishin çështjet e para të diskutuara në këto bisedime të cilat sipas shefes së delegacionit të Kosovës Edita Tahiri, nuk do të ndërlidhen me statusin politik të Kosovës.

"Mendoj se statusi është një kapitull i mbyllur. Ne jemi këtu për të provuar që të zgjidhi çështje praktike që mund të ndihmojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve, për të çuar përpara agjendën euroatlantike e mbase mund të normalizojmë edhe marrëdhëniet tona. Ndoshta Serbia po ndryshon, po e ri mendon qasjen ndaj Kosovës dhe ndoshta një ditë ajo do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por këto bisedime kanë të bëjnë vetëm me çështje teknike”, nënvizoi ajo.

Një vlerësim pozitiv për takimin e para kishte edhe shefi I delegacionit të Serbisë, Borko Stefanovic

Mendoj se po ndërtojmë ura mes nesh dhe mund t’ju them se ka disa propozime shume të mira nga të dyja palët he ne do të vazhdojmë të punojmë edhe për zbatimin e tyre kur të vijë koha. Por, më duhet të them se ka disa çështje për të cilat ne po afrohemi më shumë sesa në disa të tjera”, tha shefi i delegacionit serb.

Përfaqësuesit e të dyja palëve pritet të shpeshtojnë takimet në muajt që vijnë dhe diplomatët ndërkombëtarë shpresojnë në afrimin e të dyja palëve dhe shkrirjen e marrëdhënieve të ngrira për shkak të refuzimit të Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës, të cilën deri tash e kanë njohur 75 vende të botës.

Çështja e këtyre bisedimeve do të jetë sërish sot temë debatesh ne Parlamentin e Kosovës i cili për sot ka paralajmëruar mundësinë që të miratojë një Rezolutë në mbështetje të bisedimeve. Kjo Rezolutë do të ishte edhe një përpjekje për të zbutur kundërshtimet e partive opozitare të cilat hedhin dyshime në rezultatet që mund të sjellin ato për Kosovën.

XS
SM
MD
LG