Lidhje

BE, takim mbi marrëdhëniet me SHBA


Ndërsa ka shumë pikëpyetje lidhur me planet për politikën e jashtme të administratës së presidentit të sapozgjedhur Donald Trumpit, Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian që po takohen sot në Bruksel, ranë dakord për nevojën e forcimit të rolit të Europës në botë, deri në qartësimin e marrëdhënieve transatlantike. Sot Ministrat ritheksuan mbështetjen e tyre për marrëveshjen bërthamore të Iranit, të cilën Donald Trumpi e ka cilësuar si marrëveshjen më të keqe në botë dhe është zotuar se do të kërkojë rinegocimin e saj. Ndërkohë mbrëmë, ministrat patën një takim paraprak, ku u ra dakord se Bashkimi Evropian duhet të shpenzojë më shumë në fushën e mbrojtjes:

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, thirri takimin urgjent pas fitores befasuese të Donald Trumpit në zgjedhjet e së martës. Gjatë fushatës zoti Trump ka bërë deklarata mbi politikën e jashtme, duke vënë në pikëpyetje angazhimin e Uashingtonit me Europën, Marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimet klimatike dhe marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Federica Mogherini, shefe e politikës së jashtme të B.E.-së

"Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë partnerë dhe do të vazhdojnë të jenë partnerë për çështjet që na shqetësojnë, bazuar në vlerat, parimet dhe interesat tona. Gjithashtu diskutuam nevojën për të forcuar unitetin evropian rreth disa çështjeve kyçe që do të jenë edhe më të rëndësishme në muajt e ardhshëm", - tha Federica Mogherini, shefe e politikës së jashtme të BE-së.

Zonja Mogherini tha se Bashkimi Evropian do të ketë një qëndrim të fortë kur është fjala për të mbështetur Marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimet klimatike dhe marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Vendet e Bashkimit Evropian po presin me shqetësim të shohin se cilat propozime që zoti Trump ka bërë gjatë fushatës zgjedhore, si deklaratat e tij izolacioniste për sigurinë dhe kritikat ndaj marrëveshjeve tregtare, do të shndërrohen në politika reale.

Ministri i jashtëm sllovak, Miroslav Lajcak, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian thotë se Organizata duhet të përgatitet për marrëdhënie më praktike me Amerikën e presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

Miroslav Lajcak, Ministër i Jashtëm i Sllovakisë

“Ne e kuptojmë se do të ketë një qasje amerikane më praktike dhe rrjedhimisht edhe Evropa duhet të bëjë të njejtën gjë. Por askush nuk e ka vënë në pikëpyetje rezultatin e zgjedhjeve, ose gatishmërinë tonë për të punuar me Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Lajcak.

Gjatë fushatës zgjedhore, zoti Trump pati thënë se do t’i kushtëzonte garancitë e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e aleatëve të saj evropianë dhe refuzoi ta kritikonte presidentin rus Vladimir Putin.

XS
SM
MD
LG