Lidhje

Kënga e Erdoganit, BE kritikon Turqinë


Bashkimi Evropian ka kritikuar Turqinë duke thënë se ka vepruar në kundërshtim me vlerat evropiane kur ka thirrur ambasadorin gjerman lidhur me një këngë parodike që tallet me Presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Në një konferencë për shtyp sot, zëdhënësja e BE-së Mina Andreeva tha se ky akt nuk përputhet me mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe shprehjes së lirë, që janë tepër të shtrenjta për Bashkimin Evropian.

Zonja Andreeva shtoi se Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker "beson se ky veprim e shtyn Turqinë më larg BE, në vend që ta afrojë”.

Turqia thirri javën e kaluar ambasadorin gjerman në vend për të protestuar për transmetimin e një videoje - Erdowie, Erdowo, Erdogan – ku vihet në lojë presidenti turk për shpenzime ekstravagante dhe për shtypjen e lirive civile.

Organizata për të drejtat civile dhe Perëndimi e kanë kritikuar shpesh Ankaranë për qëndrimin e saj ndaj të drejtave të njeriut. Erdogani vazhdimisht ka hedhur poshtë kritikat për politikat turke në këtë drejtim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG