Lidhje

BE alternativë e vetme e Turqisë


Qeveria e Turqisë po shpreh gjithnjë e më shumë shqetësim për ngecjen e kërkesës së saj për të hyrë në Bashkimin Evropian. Ankaraja po paralajmëron se e ardhmja e vendit nuk është domosdoshmërisht e lidhur me BE-në. Dorian Jones njofton për Zërin e Amerikës nga Stambolli se çfarë qëndron pas shqetësimit të Ankarasë dhe çfarë do të ishte një alternativë e mundëshme.

Me ngecjen e kërkesës së Turqisë për të hyrë në Bashkimin Evropian, ministri turk për anëtarësimin, Egemen Bagis, tha kohët e fundit se beson që kërkesa nuk ka të ngjarë të realizohet me sukses. Ndërkaq, një këshilltar i lartë i Kryeministrit Recep Tayyip Erdogan, në një artikull të botuar të mërkurën në shtyp bëri thirrje që të tërhiqet kërkesa.

Cengiz Aktar, studiues i politikës dhe komentator për gazetën turke Taraf, tha se Ankaraja nuk është gati tani për tani që të heqë dorë nga aspiratat për Bashkimin Evropian, por ai paralajmëron për pasojat e prirjeve anti BE.

"Këto gjëra do të mbeten në nivelin e retorikës Ata që i bëjnë këto deklarata, ndoshta mendojmë se do të fitojnë pikë në opinionin publik duke kritikuar BE-në. Kjo natyrisht që po i dëmton marrëdhëniet tashmë të ftohura”.

Kundërshtimi nga disa anëtarë të Bashkimit Evropian ka bërë që Turqia të mos hedhë asnjë hap përpara drejt anëtarësimit gjatë tre vjetëve të fundit. Ngecja ka rezultuar në një rënie dramatike të mbështetjes nga publiku turk për anëtarësimin në BE, thotë Murat Bilhan, zv/kryetar i Qendrës për Studimet Strategjike Turqi-Azi.

"Distanca mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë është shtuar gjatë dy viteve të fundit. Popullata e Turqisë ka hequr dorë nga aspiratat për anëtarësim, siç tregojnë anketat e opinionit, jo më shumë se 30 apo 40 përqind e popullit turk mbështesin idenë e anëtarësimit të Tuqisë. Ata nuk e shikojmë një perspektivë të tillë”.

Vëzhguesit thonë se me zgjedhjet e rëndishme lokale dhe presidenciale që ka përballë Partia AK në pushtet, qendrimi anti BE do të ishte tërheqës për shumë votues. Në fillim të këtij viti, Kryeministri Recep Tayyip Erdogan sugjeroi anëtarësimin në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, SCO, si alternativë ndaj EU. Ky bllok i sigurisë rajonale përfshin katër vende të Azisë Qendrore me lidhje të ngushta kulturore me Turqinë, Kazakistanin, Kirgistanin, Taxhikistanin dhe Uzbekistanin, si dhe Kinën dhe Rusinë.

Por analisti Bilhan paralajmëron se meqë Turqia është anëtare e NATO-s, shpresat për lidhje më të ngushta me SCO-në nuk janë realiste.

"Ajo nuk do ta pranojë Turqinë se e shikon si Kalin e Trojës së perëndimit. Por Turqia do që të jetë në SCO si vëzhguese, por as statusi i vëzhguesit nuk i është dhënë”.

Bhilan thekson se Turqia dhe anëtarët e SCO-së kanë qendrime të kundërta lidhur me konfliktin në Siri.

Vëzhguesit vënë në dukje se mbështeja e fortë e Ankarasë për opozitën siriane nuk është vetëm në kundërshtim me qendrimet e Moskës dhe Pekinit, por edhe me ato të fqinjëve të Turqisë, Iranit dhe Irakut.

Analisti politik Aktar thotë se Ankaraja po izolohet gjithnjë e më shumë diplomatikisht.

"Gjithë këto tentativa për alternativa kanë dështuar. Jo vetëm që kanë dështuar, por ato tani po dëmtojnë lidhjet strategjike të vendit me NATOn dhe BE-në, për shembull”.

Vëzhguesit argumentojnë se realitete të tilla diplomatike, megjithë irritimin e Ankarasë, nënkuptojnë se ajo do të vazhdojë përpjekjet për bashkimin me Evropën, një përpjekje që filloi pesë vjet më parë.
XS
SM
MD
LG