Lidhje

Bisedimet BE-Turqi ndeshin pengesa


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian i kanë hapur rrugën bisedimeve për anëtarësi me Turqinë. Negociatat kanë ngecur për tri vjet për shkak të tensioneve politike dhe së fundi për shkak të goditjes së protestave të verës së kaluar. Por megjithë përpjekjet për rifillimin e procesit të pranimit, çështja është se sa ndikim ka Brukseli ndaj Ankarasë.

Bashkimi Evropian kishte në plan të fillonte bisedimet me Ankaranë në muajin qershor. Por shtypja e dhunshme e protestave anti qeveritare nga Ankaraja, të njohura si “Lëvizja e Parkut Gezi”, solli shtyrjen e tyre.

Sipas Kadri Gursel, analist i çështjeve diplomatike të gazetës turke Milliyet dhe faqes së Internetit Al-Monitor, protestat luajtën një rol të rëndësishëm në vendimin e Brukselit për rifillmin e bisedimeve.

“Axhenda e Parkut Gezi është thjesht axhenda e Bashkimit Evropian, liria, të drejtat dhe shoqëria civile duhet të kenë zë në të ardhmen e vendit. Ajo ishte protestë e tipit evropian dhe bëri që BE të mbajë gjallë procesin e anëtarësimit”.

Në raportin vjetor për Turqinë, Bashkimi Evropian dënoi ashpër ndërhyrjen e qeverisë ndaj protesatave.

Ndërsa Kryeministri Recep Tayyip Erdogan ka mirëpritur vendimin e Brukselit për rihapjen e bisedimeve, ai hodhi poshtë kritikat e BE-së ndaj qeverisë së tij për goditjen e opozitës, duke thënë se shteti turk ka të drejtën të ruajë rendin në vend.
Semih Idiz, analist diplomatik i gazetës Taraf dhe i faqes së Internetit Al-Monitor thotë se qendrimi i ashpër i kryeministrit ndaj Brukselit është shenjë e shqetësimit të tij për protesta të mundëshme në të ardhmen.

“Turqia është nën vëzhgim lidhur me të drejtat e njeriut. Nuk ka asnjë dyshim se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ushtrojë gjithë presionin e tij të mundshëm ndaj Turqisë. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Erdogan është i acaruar”.

Megjithëse bisedimet e anëtarësimit me Turqinë janë rihapur, vëshguesit thonë se ndikimi i Brukselit ndaj Ankarasë do të jetë i kufizuar. Nga të 35 kapitujt që duhet të plotësojë Ankaraja për t’u pranuar në Bashkimin Evropian, pas tetë vjetësh, vetëm 14 janë hapur dhe vetëm një prej tyre është përfunduar. Madje, sondazhet e opinionit tregojnë se mbështetja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian ka rënë gjatë tri vjetëve të fundit, nga 70 përqind në më pak se 50.

Cengiz Aktar, analist politik i gazetës Taraf, thotë se tani si mes popullit turk, ashtu edhe mes politikanëve, skepticizmi është thelluar nëse do të realizohet ndonjëherë aspirata e Turqisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Aktar thotë se pa ndryshuar ky perceptimin, ka pak shpresa që Brukseli ta bindë Ankaranë të trajtojë të drejtat e njeriut gjatë viteve të ardhëshme.

“Pa një deklaratë të qartë të vendeve anëtare për datën e pranimit të Turqisë në BE, unë mendoj se nuk do të shkojë përpara dhe nuk ka aspak të ngjarë që qeveria e Kryeministrit Erdogan do të ndërmarrë masa të mëtejshme reformiste në periudhën deri në zgjedhjet e vitit 2015”.

Zoti Erdogan po përpiqet të tërheqë votuesit nacionalistë, për të cilët vëzhguesit thonë se janë më skeptikë se të tjerët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe për reformat e të drejtave të njeriut. Deri kohët e fundit, Ankaraja ka argumentuar se interesat e Turqisë shtrihen përtej Evropës.

Por shtimi i trazirave në rajon, e ka izoluar edhe më tepër Ankaranë, thotë analisti politik Aktar. Kjo do të thotë se vazhdimi i bisedimeve për anëtarësimin është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm për qeverinë turke.

“Politika e jashtme e qeverisë nuk i referohet më rajoneve të tjera të botës dhe mendoj se ajo po përqendrohet tani në lidhjet me Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet me NATO-n”.

Vëzhguesit thonë se për zgjedhjet e përgjithëshme që do të mbahen në 2015, Kryeministri Erdogan ka të ngjarë të vazhdojë procesin e besidimeve me Bashkimin Evropain, duke ruajtur balancën mes kërkesave të Brukselit për respektimin e të drejtave të njeriut dhe trajtimit të trazirave të mundëshme civile.
XS
SM
MD
LG