Lidhje

BE u kërkon politikanëve të vendosin dialogun në themel të procesit të integrimit


BE u kërkon politikanëve të vendosin dialogun në themel të procesit të integrimit
BE u kërkon politikanëve të vendosin dialogun në themel të procesit të integrimit

Bashkimi Europian u bëri thirrje politikanëve shqiptarë që të vendosin vullnetin dhe dialogun politik në themel të procesit integrues të vendit. Drejtuesi i Zyrës së Komisionit Europian në Shqipëri, ambasador Etore Seki, tha sot se Bashkimi Europian është shumë i angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë, por gjithçka është në duart e vetë shqiptarëve.

“Ky është vendi juaj, kjo është e ardhmja juaj, dhe kjo është përgjegjësia juaj” - tha ambasadori Sekui. Ai i bëri këto komente në një takim me studentë të Universitetit të Tiranës, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.

“Shqipëria nevojitet të ketë më shumë besim tek vetja - tha ambasadori Seki. - Kur dikush nuk beson tek vetja, as të tjerët nuk besojnë tek ai. Komisioneri Fyle ka thënë se nuk është ai që po kërkon të antarësohet në BE, sepse ai tashmë është anëtar - citoi ambasadori Sekui. - Pa vullnet politik, pa dialog politik procesi i integrimit është si një biçikletë pa timon që nuk mund të shkojë shumë larg. BE nuk e detyron dot Shqipërinë që të ketë vullnet të mirë. Ky është vendi juaj, përgjegjësia juaj. BE mund të japë disa arësye bindëse se përse integrimi është i nevojshëm, por më në fund përsëri është vendimi juaj” - tha ambasadori Sekui.

Ndërkaq komentet e analistëve vazhdojnë të jenë skeptike. Vëzhguesi i çështjeve politike, Lutfi Dervishi, se situata politike është e nderë dhe nuk priten përmirësime në një afat të shkurtër. “Pas 18 muajsh prapë do të jetë në një atmosferë elektorale, sepse afrohen zgjedhjet parlamentare. A do të hyjmë në këto zgjedhje ashtu si hymë në zgjedhjet lokale, apo do të hyjmë me një mendësi tjetër? Kjo është veçse në dorë të dy liderëve të forcave kryesore politike. Nëse do të duan ta shohin vendin të ecë përpara me shpejtësi dhe që vendi të bëjë disa detyra të lëna me shkrim nga BE, atëherë do të duhet të ketë marrëveshje të madhe dhe një fillim të ri në marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës. Nëse këto 18 muaj do t’i kalojmë si kaluam 24 muajt e mëparshëm, atëherë kjo do të jetë keq për vendin, keq për partitë politike, keq për të gjithë” - tha zoti Dervishi.

Ai tha se dialogu Berisha - Rama është i domosdoshëm, sepse pa atë nuk mund të ecë përpara asnjë çështje e Shqipërisë që lidhet me BE.“Nga leximi i 12 pikave të BE, konstaton që më shumë se gjysma e tyre nuk mund të lëvizin dot asnjë milimetër nëse nuk ka një consensus të madh midis pozitës dhe opozitës. Janë kryesisht reforma që kanë të bëjnë me ligje që duhen miratuar me shumicë të cilësuar në parlament. Detyrat e shtëpisë fillojnë këtu; ne nuk mund të presim fjalë të mira nga Brukseli në tetor, nëse nuk bisedojmë me njëri-tjetrin në Tiranë” - tha zoti Dervishi.

Shqipëria sapo ka dalë nga zgjedhje të kontesuara vendore, dhe sapo ka mbushur dy vjet nga zgjedhje të kontestura parlamentare. Nëse situata politike vazhdon të mbetet e tillë, pakkush nga studiuesit e jetës politike besojnë se raporti europian i tetorit do të përmbajë konstatime pozitive për Shqipërinë.

XS
SM
MD
LG