Lidhje

BE, sanksione kundër udhëheqësve ukrainas


Bashkimi Evropian ka rënë dakord të vendosë sanksione kundër Ukrainës, përfshirë ndalim vizash dhe ngrirje zotërimesh duke vënë në shenjestër personat përgjegjës për dhunën më të rëndë në vite.

Hollësitë nuk janë ende të qarta lidhur me personat që janë në shenjestër nga sanksionet e Bashkimit Evropian, por lista do të përpilohet brenda pak ditësh. Ministrat e jashtëm të BE-së, të mbledhur në Bruksel thonë se sanksionet do të përfshijnë pezullim vizash dhe ngrirje zotërimesh kundër personave përgjegjës për dhunën. Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton tha se blloku me 28 anëtare do të pezullojë edhe liçencat e eksportit për pajisje policore kundër protestave që përdoren për të shtypur kundërshtarët:

"Është plotëtisht e qartë se kjo dhunë është plotësisht e papranueshme dhe duhet të ndalet. Duhet të shmanget çdo shkallëzim. Personat përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut duhet të sillen para drejtësisë”.

Sanksionet do të varen nga përparimi për gjetjen e një zgjidhjeje politike për ballafaqimin mes qeverisë dhe opozitës në Kiev. Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë janë aktualisht në Ukrainë për bisedime me të dyja palët, ndërkohë që ka shpërthyer një valë e re dhune. Përleshjet e ditëve të fundit kanë lënë të vrarë dhjetëra vetë dhe kanë plagosur qindra të tjerë.

Zonja Ashton tha se Presidenti Viktor Yanukovych dhe qeveria e tij janë përgjegjëse për rivendosjen e rregullit dhe vënien në lëvizje të procesit politik.

"Puna e parë e çdo qeverie është të garantojë sigurinë e popullit të vet. Nëse nuk janë të sigurtë njerëzit, qeveria duhet të veprojë”.

Vendimi i Bashkimit Evropian pason një njoftim nga Shtetet e Bashkuara se ka pezulluar vizat për 20 zyrtarë të lartë ukrainas. Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha se sanksionet evropiane nuk do të jenë identike, por mund të ketë disa emra të njëjtë:

"Ky është një sinjal i fortë se sa e papranueshme është kjo situate në çdo qytet dhe në botë… dhe është sinjal i vendosmërisë së BE-së për të marrë masa për këtë”.

Pavarësisht nga sanksionet, BE-ja e ka lënë hapur mundësinë e dialogut politik dhe për një marrëveshje asociimi me Ukrainën. Vendimi i Presidentit Yanukovych për të pezulluar nënshkrimin e marrëveshjes për lidhje më të forta politike dhe ekonomike me BE-në zgjoi protesta të forta publike.
XS
SM
MD
LG