Lidhje

BE zgjeron sanksionet ndaj Rusisë

  • Lisa Bryant

Bashkimit Evropian miratoi vendosjen e më shumë sanksioneve ndaj Rusisë, por do të vonojë zbatimin e tyre derisa të bëjë një vlerësim të armëpushimit mes qeverisë së Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë.

Sanksionet e reja kanë në shënjestër kompanitë shtetërore të naftës Rosneft dhe Transnet, njësi të gjigantit rus të gazit natyror Gazprom, dhe një numër zyrtarësh të qeverisë ruse.

Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy thotë se sanksionet do të hyjnë në fuqi në ditët e ardhshme, por BE është e hapur t’i shqyrtojë ato në varësi të situatës në terren në Ukrainë.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se sanksionet e fundit kanë një modalitet anulimi që varet nga lëvizjet e ardhshme të Moskës në Ukrainë, sidomos mbi gjetjen e një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Por analisti i Qendrës për Politikat Evropiane, Paul Ivan thotë se ndoshta masa më e rëndësishme është ajo që vë në shënjestër disa nga prodhuesit kryesor të naftës ruse dhe operatorët e tubacioneve. Masat e reja ua ndalojnë këtyre kompanive mbledhjen e kapitalit dhe huamarrjen në tregjet evropiane.

"Disa prej tyre tashmë janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, prandaj nga ky këndvështrim, Evropa me këtë masë po përpiqet të zë hapin me Shtetet e Bashkuara. Kjo vetëm do të rrisë kostot e kompanive dhe ato nuk do të jenë në gjendje të zgjerojnë disa projekte".

Masat e reja të BE-së gjithashtu zgjerojnë ndalimin e vizave dhe ngrirjen e kapitalit të kompanive dhe individëve rusë, si dhe disa separatistëve nga Ukraina.

Evropa dhe Shtetet e Bashkuara në të kaluarën kanë vendosur raunde të tjera sanksionesh ndaj Moskës, e cila akuzohet për dërgimin e trupave dhe armëve për të mbështetur kryengritjen në Ukrainë.

Rusia i ka mohuar këto akuza. Kryeministri rus Dimitri Medvedev ka paralajmëruar se Moska do të hakmerret ndaj sanksioneve të reja duke ndaluar linjat ajrore evropiane të fluturojnë mbi Rusi. Analistët thonë se një veprim i tillë do të dëmtonte Evropën dhe Rusinë, e cila fiton të ardhura nga fluturimet e kompanive evropiane.

Ndërsa masat e BE-së mund t’i japin një goditje tjetër ekonomisë së lëkundur të Rusisë, analisti Paul Ivan është skeptik në lidhje me ndikimin e tyre të përgjithshëm mbi Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin.

"Ekonomia ruse mund të hyjë në recesion. Ajo mund të tkurret. Por rusët kanë një imunitet të madh ndaj këtyre masave. Popullariteti i presidenti Putin do të ulet pak, por nuk do të jetë i mjaftueshëm për të provokuar një ndryshim në politikat e tij".

Ndërkohë, sanksionet po dëmtojnë Evropën dhe Rusinë. Javën e kaluar, presidenti francez Francois Hollande pezulloi shitjen e debatueshme të luftanijeve në Rusi, një vendim i kushtueshëm për Francën, në aspektin financiar dhe për reputacionin e saj si eksportuese e armëve. Fermerët e Bashkimit Evropian dhe eksportuesit e ushqimit janë gjithashtu të frikësuar nga një embargo ruse kundër një numri të madh të produkteve ushqimore evropiane.

XS
SM
MD
LG