Lidhje

Mjekrat në ushtrinë amerikane


Ushtria amerikane tashmë ka disa rregulla të reja për të cilat thotë se u japin ushtarëve më shumë liri për mbajtjen e mjekrës dhe veshjeve të caktuara për arsye fetare. Por siç na njeh materiali në vazhdim, pjestarët e disa grupeve fetare besojnë se rregullat e reja nuk janë të mjaftueshme.

Ushtria amerikane zakonisht nuk e lejon mjekrën, për shkak të uniformës dhe disiplinës.
Por tani kjo po ndryshon, duke e bërë më të lehtë për ushtarët që të lejohen të mbajnë mjekër për arsye fetare si dhe veshje të tilla fetare si çallmën, për sa kohë që ato nuk pengojnë misionin apo përdorimin e paisjeve si maskat e gazit apo helmetat.
Zëdhënësi i Pentagonit, Nënadmirali i Marinës John Kirby.

“Këto ndryshime që shihni janë një përpjekje e sinqertë që amerikanët nga të gjitha sferat të mund të shërbejnë në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara.”

Çështja doli në pah gjatë gjykimit të Nidal Hasan, majori mysliman i ushtrisë amerikane i dënuar për vrasjet në Fort Hood. Gjykatësi e urdhëroi atë që të hiqte mjekrën.

Rregullat e reja nuk vinë si rezultat i trysnisë nga myslimanët, por nga një grup i vogël i sektit Sikh.

Flitet për tre besimtarë Sikh në Ushtrinë amerikane. Majori rezervist Kamal Kalsi, mjek i urgjencës dhe hero i dekoruar i luftës, është një ëprej tyre.
Ai foli me ne përmes Skype.

“Jemi të kënaqur por është rrugë e gjatë për ndryshime në politikat që ne vërtet kemi nevojë.”

Feja Sikh-e i ndalon besimtarët madje që të presin flokët apo mjekrën. Rregullat e reja u mundësojnë komandantëve që të lejojnë mbajtjen e saj por brenda rregullave ekzistuese. Por disa, si Radjeep Singh thonë se kjo nuk është e pranueshme.

“Një besimtar sikh duhet të dorëzojë fenë para se të pranohet në ushtri. Me fjalë të tjera mund t’u duhet të heqin mjekrën, të presin flokët, të heqin çallmën ndëkohë që kërkesa për t’i mbajtur ato ende nuk është shqyrtuar.”

Kritikët po ashtu kundërshtojnë pjesë të rregullave që u kërkojnë atyre të marrin leje sa herë që ndryshojnë bazën.

Grupet islamike amerikane janë të inkurajuar nga ndryshimet dhe thonë se duhet shkuar edhe më tej, kryesisht për gratë në ushtri.

Abdel-Rasheed Mahammad ishte kleriku i parë myslman në ushtrinë amerikane.

“Ende nuk u lejohet mbajtja e shamisë së kokës dhe kjo është diçka që po shkakton një ankth të madh brenda komunitetit mysliman.”

Pentagoni thotë se u takon komandantëve të Ushtrisë, Forcave Ajrore, Detare dhe Marinsave që të zbatojnë rregullat. Veprimtarët, nga ana tjetër, thonë se do të kërkojnë më shumë ndryshime tani që këto rregulla do të zbatohen në jetën ushtarake.
XS
SM
MD
LG