Lidhje

Prokuroria, të dhëna të reja për Becchettin


Hetimi ndaj sipërmarrësit italian: Transaksione të dyshimta mes kompanive të tij. Televizioni Agon Channel: Sulm ndaj medias në prag të zgjedhjeve. Gjykata heq masën e arrestit për bashkëpunëtoren e Becchettit dhe ish drejtuesen e bankës

Një ditë pasi kërkoi urdhër arresti për sipërmarrësin Francesco Becchetti, dhe bashkëpunëtorin e tij italian, Mauro de Renzis, dhe dy shqiptare u arrestuan, prokuroria dha sot detaje të tjera mbi cështjen në të cilën ajo thotë se ka dyshime të forta për pastrim parash. Sipas prokurorisë, marrëdhëniet mes kompanisë koncesionare që duhet të ndërtonte hidrocentralin e Kalivacit dhe një tjetër kompanie, “Energji” e zotëruar nga Liliana Condomitti, e ëma e Becchettit, kanë shërbyer për transaksione financiare jo të qarta.

Kompania e Condomitti-t kontraktonte shoqëri per kryerje punimesh, dhe ja faturonte koncesionares ku Becchetti ishte aksioner me Deutsche Bank, me vlera shumë herë më të larta, që në total shkojnë deri në 14 milion euro. Ndërkohë që sipas prokurorisë, mes palëve është nxitur dhe një konflikt i rremë nga i cili kompania “Energji” ka përfituar 20 milion euro, të investuara më pas në shoqëritë e tjera të sipërmarrësit italian.

Emri i Becchettit është i lidhur ngushtësisht me televizionin Agon Channel, i cili që mbrëmë i kushtoi një vëmendje të posacme kësaj cështjeje, ndërsa në titujt e vet shkruante se bëhej fjalë për një sulm të paprecedent ndaj një mediaje në prag të zgjedhjeve vendore. Kësaj ideje i mëshuan sot edhe disa zëra nga opozita mes të cilëve dhe ish kryeministri Sali Berisha, duke ju referuar qëndrimeve kritike që Agon Channel ka patur ndaj qeverisë.

Ndërsa ish prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku, avokat mbrojtës i Erjona Troplinit, aksionere në disa kompani të sipërmarrësit italian, deklaroi mbrëmë nga studio e Agon Channel se veprimi i prokurorisë përbën një precedent të rrezikshëm pasi sipas tij ajo nuk ka paraqitur asnjë provë.

Të njejtin qëndrim zoti Sollaku mbajtu edhe sot, pasi gjykata e Tiranës hoqi masën e arrestit ndaj Troplinit dhe Pranvera Gjikës, ish drejtuese e filialit të një banke në kryeqytet. “Mbrojtja i qëndron mendimit se veprimet e Prokurorisë janë të nxituara. Duhet sqaruar gjithshcka dhe nëse do të ketë fakte dhe prova, duhet që të veprohet sipas rregullave të kodit të procedurës penale. Në kushtet ku nuk ka asnjë provë që të mbështesë dyshimin e arsyeshëm se është kryer vepra penale e pastrimit të parave, ne mendojmë se nuk ka vend as për vendosjen e masës së sigurimit”, u shpreh avokati Sollaku.

Prokuroria ka vënë nën sekuestro aksionet e sipërmarrësit Italian në të paktën 5 kompani si dhe ka marrë të njejtën masë edhe mbi llogaritë bankare të Becchetti-t dhe të bashkëpunëtorëve të tij.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG