Lidhje

Bëhen përgatitjet e fundit për zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri


Bëhen përgatitjet e fundit për zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri
Bëhen përgatitjet e fundit për zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri

Forcat kryesore politike po zhvillojnë sot takimet dhe veprimtaritë e fundit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet vendore. Teksa pritet të bjerë heshtja parazgjedhore ata po mbajnë tubimet e fundit që janë në mbrëmje, në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e atyre qytetarëve qëjanë indiferent dhe të pavendosur.

Krahas tubimeve partiake po ecin edhe përgatitjet e mijëra komisionerëve dhe mijëra vazhguesve vendas e të huaj të shpërndarë në të gjithë territorin e thyer të Shqipërisë, për të ndjekur nga afër mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, u bëri thirrje sot qytetarëve për një pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhjet vendore si shprehje e interesimit të tyre për forcimin e demokracisë dhe institucioneve.

“Të dashur qytetarë! Ju ftoj të merrni pjesë në zgjedhje, të jeni aty për t’i dhënë jetë e forcë demokracisë funksionale. Kështu të ndihmoni që me zgjedhjen tuaj të lirë të shkurtojmë rrugën europiane të Shqipërisë. Kjo është sfida e jonë, është interesi ynë i përbashkët” - tha ai.

Presidenti Topi tha se fushata pati një retorikë të ashpër, programe me mangësi, mungesë ballafaqimi mes kandidatësh dhe incidente të dhunshme. Ai tha se është normale që qytetarët të kërkojnë një jetë më të mirë në vendin e tyre, por kjo fillon nga dita e zgjedhjeve, ku secili duhet të thotë me pjekuri fjalën e vet të lirë.

“8 maji meriton të jetë një ditë normaliteti demokratik, një ditë kur qytetarët i gëzohen lirisë dhe e përdorin atë për të mandatuar institucionet e qeverisjes vendore. 8 maji meriton të jetë një ditë reflektimi e korrektimi për të gjitha gabimet e kaluara zgjedhore, një ditë që mbyll një kapitull tranzicioni dhe dëshmon se shoqëria shqiptare i ka pranuar dhe bërë të vetat vlerat e larta demokratike të familjes europiane” - tha ai.

Ndërkaq edhe forcat e rendit publikuan sot një plan të gjerë veprimi për të ruajtur qetësinë ditën e zgjedhjeve. Përfaqësues të tyre shprehën sigurinë se policia do të bëjë detyrën e saj si një polici që u shërben komunitetit dhe të gjitha palëve konkurruese, dhe do të mbështesë me të gjitha forcat mbarëvajtjen e procesit zgjedhor pranë cdo qendre votimi dhe zonave ë banuara në tërësi. Zgjedhjet vendore të 8 majit kanë përfshirë prej të paktën 6 muajsh energjitë e gjithë qarqeve politike me pastrim listash, hartim projektesh, me protesta të ndryshme; ndërsa maxhoranca thotë se këto janë zgjedhje për komunitetin, opozita preferon t’i shohë si një test politik për veten në raport me qeverinë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG