Lidhje

Shpërthime pranë ambasadës iraniane në Liban


Dy shpërthime me bomba në afërsi të ambasadës iraniane në kryeqytetin e Libanit kanë vrarë të paktën 23 njerëz, duke përfshirë një diplomat iranian. Zyrtarët thonë se shpërthimet e sotme në jug të Bejrutit, që plagosën dhe 146 persona të tjerë, u shkaktuan nga një sulm vetëvrasës me bombë i pasuar nga shpërthimi i një makine bombë.

Ambasadori i Iranit në Liban Gazanfar Roknabadi tha se ishte e qartë që sulmet kishin patur në shënjestër ambasadën e tij dhe identifikoi njërin nga të viktimat si diplomatin Ibrahim Ansari, atasheu kulturor i cili ishte duke shkuar në punë në kompleksin diplomatik kur shpërtheu bomba.

Një grup me bazë në Liban i lidhur me al-Kaidën - i quajtur Brigadat Abdullah Azzam mori përgjegjësinë për atë që u përshkrua si sulm vetëvrasës i dyfishtë kundër misionit diplomatik iranian në jug të Bejrutit. Dy shpërthimet ndodhën në një zonë të kryeqytetit libanez që cilësohet si bastion i Hezbollahut, grup militant shiit i mbështetur nga Irani, dhe ku të paktën dy sulme të tjera me bomba kanë ndodhur këtë vit.

Ministri i Shëndetësisë i Libanit Ali Hassan Khalil e dënoi sulmin.

"Ky mund të përshkruhet plotësisht si një akt terrorist. Është një akt kriminal që kishte në shënjestër jetën e civilëve, është një nga aktet terroriste që kanë goditur rajonin ku bën pjesë dhe Libani."

Si pasojë e shpërthimeve, makinat jashtë ambasadës u përfshinë nga zjarret si dhe fasadat e disa ndërtesave u prishën. Copëra xhami nga ndërtesat e dëmtuara aty pranë mbulonin rrugët dhe disa pemë u çrrënjosën, por vetë godina e fortifikuar e ambasadës iraniane pësoi dëme relativisht të vogla.

Libani ka pësuar një seri sulmesh me bomba dhe është bërë skenë përplasjesh sektare të dhunshme të lidhura me konfliktin më shumë se 2 vjeçar në Sirinë fqinje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG