Lidhje

Belgjika, Holanda shkëmbejnë territore


Përsa kohë mbahet mend, kufijtë kanë shkaktuar gjakderdhje, armiqësi dhe mosmarrëveshje ligjore. Duke pasur parasysh një histori të tillë, planet për një shkëmbim territori mes Belgjikës dhe Holandës, janë diçka e jashtëzakonshme.

Si pjesë e marrëveshjes, qyteti belg Vise do të humbasë një zonë natyrore që zgjatet deri në lumin Meuse që ndan dy vendet.

Si shkëmbim, Belgjika do të marrë një segment të vogël territori përreth një porte në lumë që është ndërtuar për të lehtësuar trafikun mes dy vendeve fqinjë:

“Mendoj se është diçka unike, sepse është e realizueshme mes Belgjikës dhe Hollandës, sepse këto vende kanë pasur lidhje të forta për shekuj me radhë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, territori nuk kishte më ndonjë rëndësi të madhe”, thotë historiani belg Luc de Vos.

Me kalimin e viteve, rrjedha e lumit Meuse e kishte kthyer pjesën e territorit belg që u shkëmbye, në një gadishull që është i lidhur vetëm me Hollandën në rrugë tokësore.

Holandezët nuk mund të shkonin atje sepse ishte territor belg dhe policia belge dhe autoritetet juridike belge nuk mund të shkonin sepse nuk mund të kalonin rregullisht kufirin për në Hollandë dhe sepse gadishulli nuk kishte skelë.

Me kalimin e kohës, pati zëra se gadishulli ishte një territor i paqeverisur, një vend i sigurt për trafikantët e drogës dhe për takime seksuale të paligjshme.

Dhe para tre vjetësh, kalimtarët hasën një trup me kokë të prerë, një rast që nxorri në pah ndërlikimet territoriale të gadishullit:

“Kalimtarët natyrisht njoftuan autoritetet hollandeze dhe ata u përgjigjën se ishte në territorin belg. Kështu ne na u desh të shkonim me barkë, me të gjithë zyrtarët e nevojshëm, prokurori, mjeku ligjor, laborator i ekspertizës ligjore. Na u desh të shkonim e të vinim disa here me barkë. Nuk ishte aspak praktike”, kujton Jean-Francois Duchesne, Komisioner i Policisë i rajonit Meuse e Poshtme.

Zyrtarët nga të dyja anët e kufirit e përshëndetën shkëmbimin e territorit:

“Duhet ta kishim bërë shumë më herët. Sepse është një zgidhje e logjikshme. Për ne nuk funksiononte të kishim një pjesëzë të vogël të Vises nga ana e Hollandës”, thotë kryebashkiaku i qytetit Vise, Marcel Neven.

Parlamentet e dy vendeve, pritet ta miratojnë shkëmbimin gjatë vitit 2016, pothuajse dy shekuj pasi u përcaktuan kufijtë në vitin 1843.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG